Lajme
VIDEO| “Kushtëzimi i dialogut me kthimin e të pagjeturve, ishte strategji opozitare” | Ky është momenti kur Kurti u kishte premtuar Nënave Gjakovare se nuk dialogon me Serbinë pa i kthyer fëmijët e tyre
Demokracia
13:57 | 30 Mars 2023

Share:

Në një dhomë të një shtëpie në Gjakovë, e mbushur me foto të të pagjeturve, për fatin e të cilëve ende nuk dihet, kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, po u bënte një premtim të madh nënave gjakovare.

Ai, po u kërkonte votën këtyre zonjave mbi të cilat rëndojnë dhimbje të mëdha, duke iu premtuar se nëse do të bëhej kryeministër do ta kushtëzonte dialogun me Serbinë me zbardhjen e fatit të të pagjeturve, përfshirë edhe fatin e djemve, vajzave dhe burrave të tyre, raporton Demokracia.com.

Në këtë video është i regjistruar momenti kur Albin Kurti, si kandidat për kryeministër, u bënte premtimin e madh nënave gjakovare. “Deri më tash, dialogu me Serbinë është zhvilluar sips kushteve të Serbisë, është diskutuar ajo që i ka interesuar Serbisë, është diskutuar ajo që i ka konvenuar Serbisë. Ne jemi të bindur që ajo do të duhej të kushtëzohej me këtë çështje, sepse duhet të bëhet hulumtimi i hollësishëm në Serbi se çka ndodhi e kur ndodhi me më të dashurit tuaj e tonët”, u premtonte Kurti disa nënave nga Gjakova”, thoshte Kurti që bënte fytyrën sikur ishte i mërzitur.

Ky ishte një premtim i madh dhe tepër serioz që vinte nga Albin Kurti, njeriu i cili që nga dita e parë kur filloi dialogu Kosovë – Serbi, ka qenë kundërshtari më i madh i tij. Asnjë politikan tjetër nuk kishte bërë një premtim të tillë.

Të dialogosh me Serbinë, pa i plotësuar paraprakisht disa kushte, është tradhti kombëtare, akuzonte Kurti gati çdo ditë, në Kuvend, në studio televizive apo në protesta. Prandaj, premtimi i dhënë prej tij nuk ishte i zakonshëm. Gjasat që ai të mbahej ishin të mëdha.

Por, kush do ta besonte se me një lehtësi të madhe, vetëm pak vite më vonë, Albin Kurti do ta harronte premtimin që u dha nënave gjakovare.

Albin Kurti, pasi u bë kryeministër, vazhdoi dialogun me Serbinë pa e kushtëzuar atë me zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Kësisoj, ai u bë një kryeministër që në betejën e tij për pushtet nuk kishte hezituar të keqpërdorë edhe fatin e mijëra shqiptarëve të Kosovës, të cilët janë zhdukur në luftën e fundit nga Serbia dhe ende nuk dihet asgjë se çfarë ka ndodhur me ta.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbrëmjen e 29 marsit 2023, e ka pranuar para qytetarëve të Kosovës se premtimi i tij si opozitar që “nuk do të dialogojë me Serbinë pa i kthyer të pagjeturit e luftës”, “pa i dorëzuar Serbia kriminelët e luftës”, “pa e njohur pavarësinë e Kosovës”, etj., – ka qenë pjesë e strategjisë së tij në betejën për pushtet.

Ky pranim i tij shokues është bërë në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini, vetëm pasi ai është ballafaquar me një deklaratë të dhënë për Zërin e Amerikës, ku ai listonte të gjitha kushtet që Serbia do të duhej t’i plotësonte para se Kurti (si kryeministër) të pranonte të ulej në tavolinën e dialogut me zyrtarët serbë.

“Pse jeni të obsesionuar a ka ndryshuar apo nuk ka ndryshuar. E kam thënë pa numër herë, koncepti dhe qëllimi është i njëjtë, strategjia prej kur jam në politikë ka ndryshuar, për konceptin e njëjtë, për qëllimin e njëjtë”, pranoi Kurti për herë të parë, pasi drejtuesi i emisionit insistoi disa herë se a ka ndryshuar Kurti opozitar i kushtëzimeve, i cili pasi u bë kryeministër shkoi në dialog pa u plotësuar asnjë kusht. /Demokracia.com/

Të ngjashme