Lajme
VIDEO| Kurti kërkoi investime nga Microsoft, multimiliarderët si Gates më herët tha që krijojnë pabarazi
Demokracia
12:38 | 12 Maj 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, jo vetëm që po rezulton të jetë kontradiktor në raport me ato që i ka thënë si opozitar, por menjëherë ai i ka harruar edhe deklaratat e pak muajve më parë si kryeministër.

Ka qenë pikërisht 31 maji i vitit të kaluar, kur gjatë një fjalimi të tij si kryeministër në një ngjarje për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik kishte kritikuar ashpër mënyrën ekonomike në të cilën po zhvillohej bota dhe po pasuroheshin edhe më tej multimiliarderët.

Kurti kishte thënë se njerëzit më të pasur, që nga Jeff Bezos që është themelues i Amazonës, Elon Musk si themelues i Teslas, Mark Zuckerberg si themelues i Facebook-ut dhe Bill Gates si themelues i Microsoft, kompaninë e të cilit sapo e vizitoi në SHBA, nga e cila kërkojë të investonte në Kosovë, po e thellojnë pabarazinë në botë, raporton Demokracia.com.

“Nga një vështrim më i gjerë sfidat që përballet vendi ynë janë të ndërlidhura me sfidat në vende të ndryshme të botës. S’ka dyshim që papunësia e lartë te ne është si rezultat i dështimeve në udhëheqjen në këto dy dekada, por ne jemi pjesë e globit dhe është fakt se pjesërisht papunësia është e lidhur me pabarazinë ekonomike në mbarë globin. Zhvillimi dhe fitimi janë të koncentruara në një pjesë të botës dhe atë në maje të atyre shoqërive. Disa multimiliarderë të botës sot kanë më shumë pasuri se sa gjysma e botës. Mendoj se pa e kuptuar dhe adresuar këtë zhvillim shoqëror e kemi të vështirë të arrijmë një nivel të zhvillimit të qëndrueshëm. Unë bëj pjesë në mesin e atyre që besojnë se pabarazia socio-ekonomike dhe ndryshimet klimatike mbesin dy çështjet kryesore që rrezikojnë botën, por këto të dyja janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Kemi një hendek të lartë në të ardhura në mundësi dhe në edukim mes shtresave të ndryshme të shoqërisë. Ky hendek ekziston sot brenda shoqërisë tonë, pastaj brenda rajonit e kontinentit ku sa vjen e thellohet. Për të ecur drejt zhvillimit të qëndrueshëm, duhet që bota të jetë në një nivel më të barabartë të mundësive dhe sot jemi ende larg atij niveli të duhur. Jemi larg, sepse modeli jonë i zhvillimit është i tillë, që sa më shumë që investojmë, aq më shumë po pasurohen ata në maje. Vitin që lamë pas, vetëm katër njerëz: Bezos, Musk, Gates dhe Zuckerberg fituan 229 miliardë dollarë brenda vitit. Pra, modeli i ekonomisë së Trickle Downit, njerëzit e pasur po i bënë edhe më të pasur, kurse të varfrit po mbesin anash. Teksa pritej e pritej, Trickle Down, gjithnjë e më shumë ajo që kemi parë ka qenë Trickle-up edhe që besa, jo Trickle-up, por “Pure-up” a “Stream-up” a “Flod-up”. Pra, jo pikë më poshtë teposhtë, por me vrushkuj të tërë përpjetë”, kishte deklaruar Kurti më 31 maj të vitit 2021, raporton Demokracia.com.

Por, ende pa kaluar një vit, sapo shkoi në SHBA, Kurti i ndërroi fjalët e tij dhe tani po krenohet edhe me disa takime me punëtorët e Microsoft-it, themelues i të cilit është Bill Gates.

Ai tani ka thënë se Microsoft dëshmon se inovacioni dhe qëndrueshmëria nuk janë në kundërshti, porse burojnë nga njëra-tjetra.

“Takimin tonë të fundit në kuadër të promovimit të sektorit të TI-së në Kosovë e zhvilluam te kampusi i kompanisë legjendare, Microsoft, në Silicon Valley. Ky kampus mbresëlënës është inspirim për bashkëpunim ndërnjerëzor dhe dëshmon se inovacioni dhe qëndrueshmëria nuk janë në kundërshti, porse burojnë nga njëra-tjetra. Sikurse në takime të tjera, edhe zyrtarët e Microsoft i kam informuar për kushtet e favorshme në Kosovë për investime në sektorin e TI-së, sidomos për shkak të potencialit gjithnjë në rritje të të rinjve që merren me këtë sektor”, ka shkruar Kurti të mërkurën në profilin e tij në Facebook.

Në kuadër të takimeve që po i cilëson si produktive në SHBA dhe në mungesë të takimeve me zyrtarët shtetërorë amerikanë, Kurti e ka përfshirë takimin edhe me përfaqësuesit e Microsoft, që më herët thoshte se po krijojnë pabarazi në ekonominë botërore. /Demokracia.com/

Të ngjashme