Të dielën e fundit të korrikut, kryeministri Albin Kurti mori vendim për reciprocitet me dokumente dhe targa me Serbinë.
Vendimi i tij bëri që të aktivizohen strukturat paralele të Serbisë të cilat vazhdimisht punojnë për destabilizimin e Kosovës, të bllokojnë rrugët në veri të Kosovës, shkruan Demokracia.com.
U desh që atje të dërgohen forcat speciale të Policisë së Kosovës. Por as kjo bëri punë. Në ditë pushimi u desh që të reagojnë nga Ambasada amerikane dhe KFOR, cili deklaroi deklaroi se është i përgatitur që të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti.
“Në përgjithësi, situata e sigurisë në komunat veriore të Kosovës është e tensionuar. KFOR-i është duke vëzhguar situatën nga afër edhe është i gatshëm të intervenojë nëse situata rrezikohet, në përputhje me mandatin që ka nga rezoluta 1244”, u tha në njoftimin e KFOR-it më 31 korrik.
Por, sa ishte në opozitë kryeministri Albin Kurti nuk mendonte se kjo forcë e NATO’s duhet të mbrojë kufijtë e Kosovës.
Opozitari Albin Kurti mendonte se kufijtë nuk duhet të mbrohen nga KFOR por nga vet Kosova, sepse KFOR është në mbrojtje të kufijve administrativ me Serbinë dhe jo kufijve shtetëror.
“A e dini pse KFOR-i është në pikat 1 dhe 31 sepse është i interesuar që ta mirëmbajë kufirin me Serbinë si kufi administrative. KFOR-i po e mbron rezolutën 1244. Në duhet ta mbrojmë pavarësinë, nuk e mbron KFOR-i pavarësinë.”, thoshte Kurti nga opozita.
Pasi serbët lokalë vendosën barrikada në veri të vendit, duke bllokuar rrugët që çonin në pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak, Albin Kurti u tërhoq nga zbatimi i vendimeve të tij.
Serbët kundërshtuan dy vendime të Qeverisë së Kosovës, që kishin të bënin me targat dhe dokumentet serbe, por më 1 gusht barrikadat u hoqën dhe Kosova shtyu zbatimin e vendimeve deri në shtator.
Vendimet e ekzekutivit kosovar kanë të bëjnë me pajisjen e shtetasve të Serbisë me dokument për hyrje-dalje, me të hyrë në territorin e Kosovës. Një gjë të tillë, Serbia e aplikon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet. Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me riregjistrimin e makinave me targat që i lëshon Serbia, që Kosova i konsideron ilegale.
Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë bisedime me ndërmjetësimin e BE-së. Dialogu ka për synim normalizimin e raporteve. Kosova insiston se dialogu duhet të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi.
Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë në kuadër të dialogut, por dy takimet nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat konkret. Për herë të fundit ata kanë zhvilluar bisedime në korrik të vitit 2021./ Demokracia.com/