Lajme
VIDEO| Greqia “afron” Edi Ramën e Vjosa Osmanin, përballë tyre ulet Vuçiq
Demokracia
21:55 | 10 Qershor 2022

Share:

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar disa fotografi nga  darka e punës së pjesëmarrësve në Samitin e SEECP që po mbahet në Greqi.

Në njërën prej fotografive të publikuara, krah kryeministrit Rama shihet edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën nuk gëzojnë raporte aq të mira.

“Në darkën e punës së pjesëmarrësve në Samitin e SEECP (procesi i bashkëpunimit të Europës Juglindore)”, ka shkruar kryeministri Rama.

Në këtë darkë po merr pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shkruan Demokracia.com. Ai shihet i ulur përballë Osmanit. Edhe presidentët dhe kryeministrat tjerë të rajonit janë pjesëmarrës në këtë Samit që po mbahet në Selanik.

Në një vizitë të saj në Shqipëri, si presidente në detyrë, Vjosa Osmani kishte dhënë disa kritika të ashpra në fjalimin e saj në Parlamentin e Shqipërisë, që e preknin edhe kryeministrin Rama.

Siç raportonin mediat shqiptare në fund të vitit 2020, Rama nuk e kishte kapërdirë dot qëndrimin e Vjosa Osmanit në Tiranë për disa çështje, duke filluar nga Ballkani i Hapur e deri te dënimi i gjenocidit serb apo ideja e shkëmbimeve territoriale mes Kosovës dhe Serbisë.

Për pasojë, takimi mes Ramës dhe Osmanit ishte zhvilluar i mbyllur dhe pa konferencë për mediat.

Në fotografinë e publikuar, pranë Presidentes Osmani është edhe kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili sot qëndroi në Prishtinë fillimisht, e pastaj në Beograd.

Të ngjashme