Lajme
VIDEO | FOTO: Ja si funksionojnë raketat ‘Javelin’ që Kosova do t’i blejë nga SHBA-ja
Demokracia
20:28 | 12 Janar 2024

Share:

Departamenti Amerikan i Shtetit miratoi shitjen e raketave Javelin për Kosovën, me një vlerë prej 75 milionë dollarësh. Në njoftim thuhet se Kosova ka kërkuar blerjen e 24 sistemeve dhe 246 raketave Javelin FGM-148F.

Në këtë shitje do të përfshihen edhe elementët logjistikë të stërvitjes dhe përdorimit të tyre.

“Kjo shitje e propozuar do të mbështeste synimet e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian, i cili është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë. Shitja e propozuar do të përmirësojë kapacitetin afatgjatë të mbrojtjes së Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial duke përmbushur nevojat e saj të mbrojtjes kombëtare”, thuhet në njoftimin e agjencisë së Departamentit të Shtetit.

Sipas njoftimit, shitja e propozuar e sistemeve Javelin nuk do të ndryshojë ekuilibrin ushtarak në rajon.

Por, çfarë janë raketat amerikane “Javelin”?

Këta raketa janë bërë tepër të njohura gjatë luftës në Ukrainë, duke u shndërruar në ‘makth’ për tankset dhe mjetet e blinduara ruse. Sistemi i raketave antitank ka hyrë në shërbim në vitin 1996, por që atëherë është avancuar vazhdimisht.

Pas lëshimit, raketa shkon me precizion të lartë drejt objektivit, ndërkohë që ushtarët mund të ripozicionohen menjëherë dhe ta ngarkojnë manualisht për gjuajtjen e radhës. Një raketë Javelin kushton rreth 180 mijë dollarë dhe ushtria amerikane ka 38 mijë të tilla.

Raketa ka aftësi të arrijë shpejtësinë deri në 540 km/h pasi lëshohet.

Kontraktorët e kësaj marrëveshjeje do të jenë kompanitë që prodhojnë raketat Javelin, Lockheed Martin dhe Raytheon Missiles and Defense.

Programi FMS (shitjet e huaja ushtarake) është një program i ushtrisë amerikane për të ofruar ndihmë të sigurisë dhe është një “mjet thelbësor i politikës së jashtme amerikane”.

Sipas këtij programi, Qeveria amerikane dhe një qeveri e huaj mund të arrijnë marrëveshje ndërqeveritare, që quhet Letër e Ofertës dhe Pranimit. /Demokracia.com/

Të ngjashme