Drejtoria e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, dje ka kryer aksion në gjashtë komuna të vendit, duke i arrestuar 11 persona, ku prej tyre tre janë zyrtarë dhe tetë përfitues subvencionesh.
Operacioni është kryer në Pejë, Istog, Deçan, Viti, Suharekë dhe Ferizaj.
Demokracia.com dje ekskluzivisht ka raportuar se në mesin e të arrestuarve është edhe shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Suharekë, Liridon Fandaj.
Po ashtu, Demokracia.com sot publikon videon e momentit kur policë civilë e nxjerrin nga seanca e Kuvendit Komunal shefin e asamblistëve të LVV-së në Suharekë dhe më pas e arrestojnë.
Fandaj në llogarinë e tij në Facebook ka postime dhe fotografi të shumta të aktiviteteve si aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, derisa miqësi të mirë ka me deputetin e LVV-së, Salih Zybën, i cili vjen po ashtu nga Suhareka.
Sipas Policisë së Kosovës, të arrestuarit dyshohet së janë përfshirë në veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar’, ‘marrja e ryshfetit’, ‘dhënia e ryshfetit’, ‘mashtrimi me subvencione’ ‘falsifikimi i dokumenteve zyrtare’ dhe ‘pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare’./Demokracia.com/