“… duket se më kollaj ka qenë të bëhen Ushtri, Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, që ishin pasardhëse të drejtpërdrejta të UÇK-së sesa tash Forca e Sigurisë së Kosovës të shndërrohet në një të tillë. Forcat e Sigurisë së Kosovës nuk plotësojnë as figurën e një xhandarmërie se lëre më të jenë Ushtri. Po të ishte me tender çështja e Ushtrisë së Kosovës, Qeveria e Kosovës do ta bënte deri më tash. Po të ishte Ushtria çështje partiake edhe do të kryhej. Po të ishte çëshje tenderi edhe do të fitohej. Mirëpo, Ushtria është e Shtetit, e Popullit, edhe rrjedhimisht nuk po bëhet me këtë Qeveri të korruptuar”.
Kjo është dekarata e rëndë e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, dhënë më 11 shkurt të vitit 2017, në televizionin Ora Neës në Shqipëri, vetëm pak ditë para shënimit të përvjetorit të 9-të të Pavarësisë së Kosovës.
Por, jo vetëm kaq. Kjo deklaratë e opozitarit Kurti, aktualisht kryeministër i Repulikës së Kosovës, ishte dhënë në kohën kur Kuvendi i Kosovës pritej të ndryshonte kornizën ligjore dhe shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtrinë e Kosovës.
Qëndrimi i Kurtit për FSK-në, si e paaftë për të qenë ushtri, por vetëm një xhandarmëri, ishte në kundërshtim të plotë edh me vlerësimin e NATO-s, e cila në vitin 2013 zyrtarisht kishte njoftuar se FSK-ja kishte përmbushur kapacitetet operacionale sipas standardeve të NATO-s.
Një qëndrim i tillë nga NATO-ja, siç u dëshmua edhe më vonë, i hapi rrugë shndërrimit të FSK-së në Ushtrinë e Kosovës.
2013 – NATO: FSK PËRMBUSHI KAPACITET OPERACIONALE SIPAS STANDARDEVE TË NATO-s
Më 9 korrik të vitit 2013, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, kishte kumtuar vlerësimin e Këshillit të aleancës se Forca e Sigurisë së Kosovës ka përmbushur kapacitetet e saj operacionale dhe është plotësisht e aftësuar që të përmbushë detyrat e caktuara nga mandati i saj në bazë të standardeve të përcaktuara nga NATO-ja.
Vlerësimi i NATO-s ishte pritur me entuziazëm të lartë në Kosovë, pasi në këtë mënyrë po hapeshin dyertë që FSK-ja të bëhet Ushtria e ardhshme e Kosovës.
Në atë kohë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi vlerësonte se deklarimi i NATO-s “është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne, është një kapitull i ri për zhvillimin e FSK-së, sepse Kosova ndan vizionin e NATO-s për një të ardhme ku Ballkani perëndimor është i integruar në strukturat euroatlantike. Pra, është kapitulli i avancimit të FSK-së. Gjithashtu, dua të theksoj se Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë që është ndërtuar nga zeroja, duke i përmbushur standardet më të larta të NATO-s, dhe duke bashkëpunuar ngushtë me ekipin e NATO-s në kuadër të FSK-së”.
2018 – FSK-ja BËHET USHTRIA E KOSOVËS
Më 14 dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar pakon ligjore përmes së cilave, Forca e Sigurisë së Kosovës ndryshoi statusin e saj në Ushtri e Kosovës.
Sipas nenit (kompetencat dhe detyrat) 4 të Ligjit nr. 06/L-123 për Forcën e Sigurisë së Kosovës “Forca e Sigurisë së Kosovës mbron sovranitetin dhe integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe ineresat e Republikës së Kosovës” dhe se pjesë e detyrave të përgjithshme është “Mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës”. / Demokracia.com /