Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla – Schwarz, gjatë këtyre ditëve ka qëndruar në Greqi ku ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Delphi. Përveç kryeministrit Kurti, kryediplomatja atje ka qenë e shoqëruar edhe nga dy zëvendësit e saj, Liza Gashi dhe Kreshnik Ahmeti.
Gërvalla ka marrë pjesë vetëm në një panel diskutimi gjatë ditës së fundit të forumit me homologët e saj nga Maqedonia e Veriut dhe Sllovakia, përcjell Demokracia.com.
Ndryshe prej dy të parëve, të cilët kanë diskutuar gjatë lidhur me temën që u ishte caktuar, “Evropa pas Ukrainës”, Gërvalla foli më pak, por megjithatë shfrytëzoi kohën që t’i bëjë disa falënderime.
“Vetëm disa fjalë, fillimisht pasi që është hera e parë që Kosova merr pjesë në Forumin e Delphi. Dua të falënderoj të gjitha ata që kontribuuan që ne të jemi këtu. Për ne është një mundësi e jashtëzakonshme, jo vetëm që të takojmë shumë njerëz dhe të flasim për Kosovën, por të kuptojmë shanset e bashkëpunimit mes Greqisë dhe Kosovës, por edhe me shtete të tjera”, ka thënë ajo, përcjell Demokracia.com.
Edhe për pak sekonda me tej, Gërvalla ka folur për ndihmën që Kosova i ka ofruar Ukrainës, për mënyrën sesi ky shtet po e përballon luftën dhe më pas gazetarja kaloi sërish te panelistët tjerë.
Ndërkohë, Forumi i Delphi ka nisur më 6 prill dhe ka zgjatur deri të dielën.
Kryeministri Kurti, po ashtu, ka marrë pjesë vetëm në një diskutim me një gazetare, me të cilën më shumë ka folur për “sukseset” e qeverisë së tij sesa për atë që ishte ftuar.
Çështjet kryesore të forumit gjatë këtij viti kanë qenë siguria globale, ekonomia globale, urgjenca klimatike, e ardhmja e BE-së, ndryshimet teknologjike dhe transformimi ekonomik./Demokracia.com/