Partneriteti ndërkombëtar që qëndron pas teleskopit hapësinor James Webb po shijon triumfin pas një jave publikimi të imazheve mahnitëse të universit tonë.
Kjo javë filloi me imazhe mahnitëse nga teleskopi hapësinor James Webb. Ato janë, deri më sot, imazhet më të gjalla dhe më të qarta të universit.
Webb përdor teknologjinë infra të kuqe për të shtuar ngjyrat duke përdorur filtra për të krijuar imazhe verbuese që sytë tanë të zhveshur nuk mund t’i shohin. Atë që paraardhësit të tij, teleskopit Hubble, iu deshën dy ditë për të kapur për çdo ngjyrë, teleskopi Webb mund ta bëjë në dy orë.
“Ne pamë më thellë se sa ka shkuar Hubble gjatë gjithë jetës së tij në këtë lloj projekti. Ne po afrohemi gjithnjë e më shumë për të parë gjërat e para që u formuan pas Big Bengut. Tani, pas disa muajsh, ne do të shkojmë 10 herë më thellë, dhe më pas mund të afrohemi edhe më shumë, kështu që kemi gjëra të tjera në të ardhmen”, thotë Marcia Rieke, me teleskopin Webb.Webb u nis nga Amerika e Jugut ditën e Krishtlindjes, 2021.
Ai dërgoi imazhe provë gjatë rrugës për në destinacionin e tij përfundimtar në hapësirë, por asgjë në krahasim me atë që pamë këtë javë.
“I gjithë ky imazh është vetëm fillimi. Pra, ajo që ne po shikojmë është një pjesë e vogël, fare e vogël e qiellit. Në atë copëz të vogël në atë imazh ka mijëra galaktika dhe secila prej tyre është strehë e dhjetëra apo edhe qindra miliarda yjeve”, thotë Ray Jayawardhana, profesor astronomie në Universitetin “Cornell”. Dhe pastaj ishte ky imazh i hapësirës Carina Nebula.
“Jeni duke parë një rajon ku janë formuar disa yje të rinj, dhe në pjesën e sipërme të imazhit që duket si qielli blu, ka disa yje shumë të nxehtë, drita e të cilëve hyn në re, në pjesën portokalli më poshtë… Webb është kaq i aftë për të zbuluar galaktika të largëta, saqë duket sikur ato hyjnë në çdo foto që bën Webb-i”.