Lajme
VIDEO| Basha akuzonte Jasharajn për pengmarrje të nxënësve, por fëmijët e tij shkollohen jashtë vendit
Demokracia
22:41 | 21 Shtator 2022

Share:

Dimal Basha, Deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, sot ka qenë i ashpër me Kryetarin e SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, teksa i ka kërkuar të hiqte dorë nga kërkesa për 100 euro.

Basha në korridorin e Kuvendit të Republikës së Kosovës me zë të lartë, gjuhë të ashpër e fyese, i drejtohej Jasharajt duke i thënë se ka marrë fëmijët peng, duke kërkuar që t’i plotësojnë kërkesat e sindikatës, raporton Gazeta10.

“Ti i ke marrë fëmijët peng në këtë Republikë. Kujt duhet me i ardhë marre, mua a ty? A ke punu para Iuftës pa pare? E tash për 50 euro po na i mbanë fëmijët peng a? Po piskas se ti nuk merr vesh ndryshe”, u dëgjua teksa fliste Basha në praninë e medieve.

Teksa, Basha akuzonte Jasharajn se po mbante nxënësit e Kosovës peng, fëmijët e deputetit janë duke vazhduar arsimimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë e pati konfirmuar vet deputeti i VV-së, në një intervistë në Prime Time të Kanal10, ku kishte thënë shkurt se “Jo, fëmijët e mi nuk janë në Kosovë, por kjo nuk është temë”, kështu duke mos dashur ta zgjaste diskutimin.

Për deklaratat e sotme, Deputeti i VV-së, ka thënë se nuk është penduar, pasi sipas tij “ata që e kanë votuar, e dinë natyrën time të qasjes ndaj problemeve“.

Deputeti i VV-së, Dimal Basha, edhe më herët kishte përdorur gjuhë ofenduese ndaj Kryetarit të SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, të cilin e kishte quajtur analfabet funksional.

Të ngjashme