Deputeti Avdullah Hoti, ish-kryeministër i Kosovës, sot i është betuar për besnikëri Republikës së Shqipërisë.
Në kuadër të njëzetë e dy shtetasve të huaj, që sot u betuan para kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke marrë zyrtarisht edhe nënshtetësinë shqiptare ishte edhe deputeti Avdullah Hoti, shkruan Demokracia.com.
Teksa vlerësoi shtetasit më të rinj për zgjedhjen që kanë bërë, Veliaj u shpreh se marrja e shtetësisë shqiptare duhet konsideruar si një mision për progres dhe për të çuar përpara ambiciet e vendit tonë.
Ai theksoi se ndonëse Shqipëria është një vend i vogël, ajo jep një kontribut të rëndësishëm.
“Një pjesë e madhe e vëllezërve dhe motrave që bashkohen sot me shtetësinë e re, janë nga Kosova dhe kanë shumë të freskët plagën dhe gjithë tragjedinë e luftës. Rëndësia për të pasur qytete progresive, qytete me mendje të hapur, qytete ku ne gjejmë arsyet që na bashkojnë, jo të shikojmë dallimet që kemi me njëri-tjetrin, janë qytetet e të ardhmes! Ndaj, më vjen mirë që sot, 22 shtetas të rinj i bashkohen qytetit tonë, shtetit tonë, edhe misionit tonë për një Shqipëri që bën progres, edhe për një vend që modernizohet dita ditës”, theksoi kreu i Bashkisë.
Pas leximit të formulës, 22 shtetasit nga Kosova, SHBA-ja, Egjipti, Turqia dhe Siria, nënshkruan edhe aktin e betimit. /Demokracia.com/