Lajme
VIDEO| Albulena Haxhiu (2018): Gjendja me energji është e rëndë, Qeveria po hesht
Demokracia
11:25 | 24 Gusht 2022

Share:

Me siguri se ju që e lexuat titullin jeni çuditur sesi është e mundur që Albulena Haxhiu po konstaton gjendjen e rëndë në Kosovë për shkak të furnizimit të reduktuar me energji elektrike në mes të verës.

Keni të drejtë të çuditeni, sepse Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes nuk ka thënë ndonjë fjalë këto kohë për këtë gjendje apo për situatën e papërballueshme për qytetarët që jetojnë në varfëri dhe në zona më të thella, shkruan Demokracia.com.

Deklarata e shkëputur e Haxhiut është pjesë nga konferenca e saj e mbajtur më 4 mars 2018, në kohën sa ajo dhe partia e saj, Vetëvendosje, ishin në opozitë. Konferenca e saj, e mbushur me kritika për Qeverinë, i paraprinte një interpelance që Vetëvendosje e kishte thirrur për kryeministrin e atëhershëm Ramush Haradinaj.

“Gjendja energjetike sot në Kosovë është e rëndë. Përveç në Prishtinë, qytetarët po ballafaqohen me mungesë të energjisë elektrike në secilin qytet e fshat dhe në këto ditë të ftohta dimri kjo gjendje është e papërballueshme sidomos për qytetarët të cilët jetojnë në varfëri dhe poashtu për ata që jetojnë në zona më të thella. Me gjithë këto probleme, deri më tani nuk kemi dëgjuar asnjë përgjigje nga Qeveria për mungesën e energjisë elektrike, faturat e fryra dhe largimin e punëtorëve”, deklaronte Haxhiu në marsin e vitit 2018.

Vetëm dy-tre vite pas kësaj konference, partia e Haxhiut është në pushtet.

Ndryshimi i vetëm është se qytetarët po paguajnë faturat e energjisë elektrike mbi 100 për qind më shtrenjtë sesa kanë paguar në vitin 2018. Megjithatë, Haxhiu nuk e ka ngritur kurrë më shqetësimin për “faturat e fryra”.

Në të njëjtën konferencë, Haxhiu fliste edhe për vendimin për të paguar faturat e serbëve, të cilin e konsideronte të paligjshëm.

“Ende askush nuk ka dhënë përgjegjësi për mashtrimin dhe vendimin e paligjshëm të ZRrE-së, që shpenzimet e qytetarëve serbë ia faturon qytetarëve shqiptarë dhe komuniteteve tjera”, thoshte Haxhiu.

Por, Albulena Haxhiu ka heshtur kur para disa ditësh, 10 gusht 2022, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për disbursimin e 40 milionë eurove si pagesa për faturat e serbëve në veriun e Kosovës. Kjo është bërë me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti dhe është konfirmuar nga Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

“Duke marrë parasysh që ruajtja e marrëveshjes me ENTSO-E (Rrjeti i Transmisionit Evropian të Sistemit Operativ për Energji Elektrike) është thelbësore për Kosovën dhe për ruajtjen e sistemit elektro-energjetik, ne si ministri me kërkesën e Kurtit kemi bërë kërkesë te Ministria e Financave dhe ministria e ka propozuar dhe sot kem ndarjen e 40 milionë eurove për shlyerjen e këtyre obligimeve”, ka thënë Rizvanolli.

Edhe pse me një vendim të vetëm janë ndarë hiç më pak se 40 milionë euro për të paguar rrymën e serbëve në veri, Haxhiu tash si ministre ka heshtur përballë këtij vendimi të Qeverisë së Kosovës, që drejtohet nga Albin Kurti. /Demokracia.com/

Të ngjashme