Lajme
VIDEO | 3 vjet në Qeveri: Albin Kurti, njeriu që për vota i gënjeu nënat gjakovare duke i parë në sy se do ta kushtëzonte dialogun me Serbinë me zbardhjen e fatit të familjarëve të tyre
Demokracia
09:53 | 22 Mars 2024

Share:

“Deri më tani dialogu me Serbinë është zhvilluar sipas kushteve të Serbisë. Është diskutuar ajo që i ka interesuar Serbisë, është diskutuar ajo çka i ka konvenuar Serbisë. Ne jemi të bindur se Serbia do të duhej të kushtëzohej me këtë çështje, sepse duhet të bëhet hulumtimi i hollësishëm se çka ndodhi e kur ndodhi me më të dashurit tuaj dhe tonët”.

Ky ishte premtimi i madh i kandidatit të për kryeministër të Kosovës, Albin Kurtit, në prag të zgjedhjeve parlamentare në qershorin e vitit 2017.

Një premtim kaq i madh nuk ishte bërë kurrë në shoqatën e nënave gjakovare “Thirrjet e Nënave”, që për vite të tëra vazhdojnë të kërkojnë zbardhjen e fatit të të pagjeturve, jo vetëm familjarë të tyre, por gjithndej Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Opozitari i atëhershëm, Albin Kurti, së bashku me partinë e tij, Vetëvendosjen, me qëllim të përfitimit elektoral fajësonin palën kosovare se po dialogonte me Serbinë pa asnjë kusht dhe se situata do të ndryshonte me ndryshimin e pushtetit. Madje, Kurti dhe Vetëvendosje, në betejën e tyre për pushtet, nuk kursenin t’iu premtonin gënjeshtra duke i parë në sy edhe nënat gjakovare që prej dy dekadash vuajnë pasojat e mëdha të luftës të shkaktuara nga Serbia.

Me këtë premtim, Kurti kishte ngjallur shpresa të mëdha tek mijëra familje, që nuk dijnë gjë për fatin e familjarëve të tyre.

30 GUSHT 2022 – KURTI SI KRYEMINISTËR RIKTHEHET NË GJAKOVË TE FERDONIJE QERKEZI PA PREMTIMIN E MBAJTUR

Albin Kurti, tani si kryeministër, ishte kthyer sërish në Gjakovë për të vizituar shoqatën e nënave gjakovare. Ai kishte qëndruar edhe në shtëpinë muze të Ferdonije Qerkezit, e cila nuk di gjë për fatin e burrit dhe 4 djemve të saj.

Kurti, i cili ishte votuar si kryeministër për herë të dytë më 22 mars 2022, kishte kohë që kishte filluar dialogun me Serbinë. Në mes të qershorit të vitit 2021 ai ishte takuar për herë të parë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili gjatë luftës ishte ministër i propagandës së Sllobodan Millosheviqit.

Të gjitha kushtëzimet që Kurti i shihte të domosdoshme t’i bëheshin Serbisë, kishin rënë në ujë. Madje, Kurti nuk e përmendi as premtimin e madh që ua kishte bërë nënave gjakovare.

Më 30 gusht 2022, derisa po qëndronte në shtëpinë muze të familjes Qerkezi, Kurti nuk përmendi më domosdoshmërinë që dialogu me Serbinë duhej të kushtëzohej.

Kryeministri Kurti tani po u thoshte nënave gjakovare se tani ka ndryshuar pikëpamje, pasi problemin më të madh të zbardhjes së fatit të të pagjeturve, “siç e sheh ai” është hapja e arkivave në Beograd.

“Problemi më i madh, siç e shoh unë, për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, është, e para hapja e arkivave në Beograd dhe e dyta, fakti që në Serbi kemi një diktaturë dhe njerëzit nuk guxojnë të flasin. Ne kemi nevojë që njerëzit në Serbi të fillojnë të flasin për çka dijnë”, thoshte Kurti.

Pa asnjë ndjeshmëri për fatin e rëndë të mijëra familjeve kosovare, Kurti nuk kërkoi as ndjesë për premtimin e madh dhe të pambajtur që ua kishte dhënë atyre. / Demokracia.com /

Të ngjashme