Një veturë elektrike që kushton vetëm 3.700 euro po shitet në Kinë më shumë sesa ato të prodhuesit të makinave elektrike, Tesla.
E prodhuar nga SAIC Motor, “Hong Guang Mini EV” vetura me një palë dyer është në bashkëpunim me General Motors, transmeton Demokracia.com.
Muajin e kaluar, shitjet e kësaj veture elektrike në Kinë ishin gati dyfish më të mëdha se ato të Tesla-s, për të cilën u diskutua rreth çështjeve të sigurisë.
Edhe pse kjo veturë është shumë mbrapa në krahasim me Tesla si nga cilësia e baterisë, jetëgjatësia e saj dhe performanca e veturës, çmimi i ulët është ai që e ka bërë këtë veturë të shitet me të madhe në Kinë.
Modeli i veturës elektrike që doli në treg vitin e kaluar mund ta arrijë shpejtësinë maksimale prej 100 kilometrash në orë dhe në të i zë katër persona edhe pse hapësira është mjaft e ngushtë.
Vetëm gjatë pjesës së dytë të vitit të kaluar, në Kinë u shitën 112.000 vetura të këtij modeli, duke u radhitur në vendin e dytë, pas modelit “Tesla Model 3″. /Demokracia.com/