Lajme
Vetëvendosjen e kaplon ‘demenca’, harron që dikur i mbështeste fuqishëm mësimdhënësit
Demokracia
08:49 | 12 Shtator 2022

Share:

Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin në të kaluarën përkrahnin të gjitha grevat e në veçanti ato të SBASHK-ut, mirëpo tani gjithçka ka ndryshuar me të ardhur në pushtet.

Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje gjatë kohës sa ishte në opozitë u jepte mbështetje dhe të drejtë të plotë sindikatave kur ato ishin në greva.

Kurti në veçanti i mbështeste fuqishëm grevat e mësimdhënësve, konkretisht Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), por edhe të mjekëve, duke thënë se pakënaqësitë e tyre lidhen direkt me keqmenaxhimin e pushtetit, që sipas tij, këto kategori nuk i trajtonte në mënyrë dinjitoze, shkruan Demokracia.com.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), prej vitesh në muajin shtator ka mbajtur greva, madje edhe në janar. Kështu duke e pamundësuar fillimin e vitit të ri shkollor, rrjedhimisht gjysmëvjetorin e dytë.

Por si duket Lëvizja Vetëvendosje tani po vuan nga “Demenca”, pasi që ka harruar se SBASHK-u edhe në të kaluarën ka mbajtur greva dhe mësimi nuk kishte filluar me kohë dhe jo vetëm në tre vitet e fundit siç pretendojnë përfaqësuesit e këtij subjekti politik.

Gjatë ditës së djeshme ka qenë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci e cila ka thënë se ka tre vite që mësimi nuk po fillon me rregull. Sipas saj, në dy vite për shkak të pandemisë dhe këtë vit për shkak të grevës së SBASHK-ut, raporton Demokracia.com.

“Është viti i tretë radhazi që java e dytë e shtatorit i gjen nxënësit në shtëpi. Në dy vitet e kaluara kjo ndodhi për shkak të pandemisë, e cila çrregulloi edhe procesin edukativo-arsimor, duke shkaktuar humbje të mëdha mësimore. Ndërkaq, këtë vit vonesa po ndodhë për arsye që lehtësisht kanë mundur të shmangen, e që kanë rezultuar me humbjen e rreth 580 mijë orëve të mësimit në 7 ditët e grevës së organizuar nga BSPK dhe SBAShK”, ka shkruar ndër të tjerash Nagavci.

Për “çudi”, edhe kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, mendon se vetëm në tre vjetët e fundit nuk ka filluar me kohë mësimi.

“Nuk ka më asnjë arsyetim të dënohen fëmijët me mungesë mësimi si pasojë e kërkesave të SBASHK-ut, të cilat për tri vite radhazi shtyjnë fillimin e vitit të ri shkollor”, ka shkruar Kusari-Lila.

Theksojmë se Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ka hyrë në grevë të përgjithshme që nga 25 gushti i këtij viti. Mirëpo nga Qeveria e Kosovës në vazhdimësi kanë drejtuar kërcënim nga ana e grevistëve me të vetmin qëllim, pezullimin e grevës. Kërcënimet kanë qenë edhe me ndalje të pagave, mirëpo BSPK dhe SBASHK nuk janë zmbrapsur dhe janë duke vazhduar grevën deri në realizimin e kërkesës së tyre, shtimin e nga 100 eurove në pagat e tyre deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave. /Demokracia.com/

Të ngjashme