Lajme
Vetëvendosje vazhdon me Haxhiun në seancën e 20-të, partitë tjera kërkojnë tjetër emër
Demokracia
20:01 | 22 Maj 2025

Share:

Hera e vetme kur publikisht shfaqi gatishmëri që të bashkëpunojë për qeverisje ishte oferta për koalicion me Lidhjen Demokratike.

Partisë Demokratike lideri i Lëvizjes Vetëvendosje ia ka mbyllur derën e bashkëpunimit.

Në intervistën e shumëkomentuar në televizionin publik, Kurti tha se një koalicion me LDK-në dhe pakicat joserbe do të ishte stabil, ndërsa për PDK-në, mendon se i duhet edhe një mandat në opozitë.

Përpos që ka qëndrime të kundërta, Kurti përkujdeset që edhe publikisht të mbajë distancë me partitë tjera.

Për shembull në Kuvendin e Kosovës, për dallim me Konjufcën dhe të tjerët, pothuajse asnjëherë nuk përshëndetet e as nuk bisedon me oponentët politikë.

Këtë rregull të pashkruar, Shefi i Vetëvendosjes e theu në finalen e kampionatit të basketbollit në Mitrovicë.

Përballjen Trepça-Bashkimi, Kurti e ndoqi krah për krah me Bedri Hamzën, kryetarin e Mitrovicës, por edhe kandidatin e PDK-së për Kryeministër.

Pas ndeshjes Hamza dhe Kurti e vazhduan shoqërimin duke e shijuan ushqimin e përgatitur nga “Qendra Rinore Diakonie”, në Mitrovicë.

Takimi, nga i cili fotografi ndau edhe Kurti në profilin e tij në Facebook nuk është komentuar nga zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka

Nga PDK thonë se Hamzën dhe Kurtin bashkë i bëri Bashkimi dhe Trepça e cila u bë kampione, e jo politika.

“Ky takim rasti, nuk ka konotacion politik, asnjë përmbajtje politike. Është thjesht një event sportiv, në të cilin zoti Hamza ka qenë nikoqir, si kryetar i Mitrovicës”, ka thënë Gruda.

Gruda tha se as në seancën e nesërme, PDK nuk e voton Albulena Haxhiun për Kryekuvendare.

Për dallim nga Gruda, ish-anëtari dhe deputeti i Vetëvendosjes, Afrim Kasolli, mendon se mesazhi nga palestra e sportit në Mitrovicë është kryekëput politik e jo sport.

“Janë veprimet të mirë menduara, e të mirëkalkuluara, e të mirëanalizuara paraprakisht në funksion të një agjende politike…pra, çdo gjë vetëm rastësore në këtë aspekt s’mund të jetë”, ka thënë Kasolli.

Ndërkohë kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pasi tregoi se partisë së tij i është bashkuar subjekti politik Forumi i Intelektualëve, në konferencën për media nuk pranoi që ta komentojë deklarimin e Kurtit i cili ka thënë se diskutimet me Limajn kanë dështuar pasi që ai ia kishte kërkuar postin e Kryeparlamentarit.

Ndërsa u shpreh optimist se shumë shpejt do të ketë një shumicë parlamentare, Limaj tha se do të dalë me një sqarim më të gjatë ditëve në vazhdim edhe për këtë çështje edhe për vizionin e NISMA-s për zhbllokimin e Kuvendit.

Seanca tjetër, e 20-ta me radhë, nis të premten, nga ora 11:00.

Të ngjashme