Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për të zgjedhur Kryeparlamentare, Albulena Haxhiun, dështoi dy herë të shtunën e 19 prillit, pasi Albulena Haxhiu në të dyja votimet mori 57 vota të deputetëve, nga 61 sa nevojiteshin, ndërsa 20 prej tyre ishin kundër dhe tre abstenuan, nga 115 deputetë që ishin në sallë.
Për seancën e djeshme konstituive dhe atë që pritet të mb ahet nesër ka folur deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila në mandatin e kaluar ishte kryetare e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.
Ajo ka kritikuar deputetët e PDK-së që dje nuk morën pjesë në votimin për kandidaten e propozuar nga VV, Albulena Haxhiu, duke thënë se mosvotimi sipas Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në Rastin Nr. KOU9/14, pika 128 konsiderohet shkelje.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në Rastin Nr. KOU9/14, pika 128 thotë se “Në konstituimin e Kuvendit, të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë si të dëshirojnë, në mënyrë të hapur ose të fshehtë, të votojnë “për”, “kundër” ose të abstenojnë, dhe nuk mund të lirohen nga të vepruarit kështu”.
“Dje në pikën për zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit, kishte deputetë që nuk morën pjesë fare në votim. Mosvotimi sipas këtij Akgjykimi konsiderohet shkelje. Ky veprim nuk mund të përsëritet nesër gjatë vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit”, ka shkruar Kusari-Lila.
Dje pas seancës, Haxhiu tha para gazetarëve se edhe të hënën emri i saj do të propozohet, ndërsa akuzoi partitë tjera politike që sipas saj po i mbajnë bllokuar institucionet e vendit.