Ka disa ditë që Lëvizja Vetëvendosje është hedhur në aksion për ta dëshmuar se lideri i saj, Albin Kurti, ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, fushata e saj duket se padashje po nxjerrë të kundërtën e asaj që po synohet.
“Albin Kurti është veteran i rrejshëm i UÇK-së”, “Albin Kurti është i pari që duhet të largohet nga lista e veteranëve të rrejshëm të UÇK-së”, janë vetëm disa nga fjalitë e debatit të fundit kur përmendet kryeministri Kurti.
Së fundmi, partia e tij, duke shfrytëzuar rrjete sociale e gazetarë të afërt me të, kanë lëshuar në qarkullim disa foto dhe një video ku Albin Kurti shihet duke hyrë në një takim në Dragobil të Malishevës, ku disa drejtues të UÇK-së, Jakup Krasniqi, Ramë Buja e Sokol Bashota, që të tretë të uniformuar, po takoheshin me ish-shefin e parë të zyrës së SHBA-së në Kosovë, Larry Rossin.
Ajo që bie në sy fund të kësaj videoje 118 sekondëshe është dëshira e madhe e Kurtit për t’u fotografuar para tre djemve të moshës së tij apo më të rinj, të cilët ishin të uniformuar dhe mbanin armë automatike, kallashnikov.
Por, çka dëshmon kjo video?
Aty Albin Kurti është në rroba civile, pra nuk ka asgjë ushtarake. Të tjerët aty janë në uniformë dhe armë automatike që i kishte UÇK-ja. Pra, Vetëvendosje nuk po arrin të gjejë asnjë foto apo video të Albin Kurtit më uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në fakt, se çfarë mendonte Kurti për uniformën dhe armën, Vetëvendosjes nuk i duhet shumë për ta gjetur një video tjetër të Albin Kurtit, shkëputur nga një dokumentar i realizuar vetëm pak kohë pas Epopesë së UÇK-së dhe familjes Jashari, të marsit të vitit 1998.
Në atë video, Albin Kurti dëshmon qartë se nuk dëshiron të bëhet ushtar. “Unë nuk do ta kapja kurrë një armë në dorë”, thotë Kurti, duke vazhduar se “Zgjidhja më e mirë, e kam thënë edhe më parë, mes luftës dhe dorëzimit, është një zgjidhje pa dhunë. Në njërën anë unë besoj në jo-dhunë, sepse unë po e shmangi dhunën dhe besoj në filozofinë e jo-dhunës”.
Sidoqoftë, deri më tani Kurti nuk ka dhënë ndonjë indikacion se do të heqë dorë vullnetarisht nga statusi i veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.