Lajme
Vetëvendosje në aksion kundër prokurorit që arrestoi njeriun e tyre për korrupsion
Demokracia
22:44 | 19 Prill 2023

Share:

Deputetë e anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë marrë “shpatën në dorë” për të ndarë drejtësi. Ata e kanë sulmuar kandidatin kryesor për kryeprokuror, Blerim Isufajn, i cili e arrestoi të përzgjedhurin e VV-së në krye të KEK-ut, Nagip Krasniqin. Krasniqi dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe për konflikt interesi.

Halil Thaçi, deputet i LVV-së, ka ironizuar me rastin e arrestimit të Krasniqit, duke thënë se mund të ketë atentat ndaj tij, sepse “ka ndalë zhvatjen në KEK”, shkruan Demokracia.com.

“Është lajm i mirë kur dëgjova arrestimin e Drejtorit të Kek-ut, pasi gjithmonë jamë frigu se do të dëgjoj lajmin mbi atentatin e tij, duke e ditur se sa banditave ju ka ndalë zhvatjen e KEK-ut. Policia duhet të jetë e vëmendshme për sigurin e tij , mbase atentatin ndaj tij mund të ndodhë edhe aty në mbajtje”, ka shkruar ai.

Thaçi, gjithsesi nuk duket se është personi i duhur të moralizojë kur vjen në shprehje KEK-u. Kushëriri i deputetit, Fatos Thaqi, ishte në mesin e 127 të punësuarve në një proces të dyshimtë rekrutues të KEK-ut, prillin e kaluar. Lidhjen familjare me Fatos Thaqin e kishte pohuar vetë ligjvënësi i Lëvizjes Vetëvendosje.

Edhe deputeti tjetër i VV-së, Arbër Rexhaj, ka shfrytëzuar rastin të sulmojë kandidatin për kryeprokuror.

“Kush është ky Blerim Isufaj që nuk e duan për kryeprokuror asnjëri nga tre krerët shtetëror (Presidentja, Kryeministri e Kryeparlamentari) e megjithatë don që me çdo kusht e për çfarëdo çmimi të bëhet Kryeprokuror?! Ai ka siklet të madh diku e mbështetje jo të vogël prej ndokujt”, ka shkruar Rexhaj.

Postimi i Rexhajt është pëlqyer nga sekretari organizativ i VV-së, Alim Rama, shkruan Demokracia.com.

Sulm direkt drejt Isufajt ka bërë edhe “masha e Kurtit”, Dejona Mihali. Ajo tentoi ta denigronte figurën e kandidatin për kryeprokuror, duke përmendur hetimet për aksionet politike të LVV-së.

“Vjet në këtë kohë bën shumë përpjekje. Shumë hetime, shumë vepra të vjetra të aksioneve tona politike, çdo deklaratë të vitit 2020 për ministrat e kthyen në hetim. Pas një viti prapë. Prokuroria Speciale e Blerim Isufajt në veprim”, ka shkruar ndër të tjera ajo.

Mobilizimit të sulmit ndaj prokurorisë dhe mbrojtjes ndaj njerëzve të tyre u është bashkuar edhe Artan Abrashi. Deputeti i VV-së, subjekt politik ky që erdhi në pushtet me sloganin ‘Krejt dhe Drejt’, e ka parë arrestimin e Krasniqit si ‘hakmarrje’ nga ana e Isufajt.

“A po hakmerret ai që s’po arrin të bëhet kryeprokuror?”, ka shkruar Abrashi në ‘Facebook’.

Rasti të reagonte i erdhi edhe Adnan Rrustemit, i cili mëson prokurorinë ku ta kenë pistën e hetimeve.

“Asnjë aktakuzë e arrestim për një muaj me 16 barrikada në veri, asnjë aktakuzë për qindra dosje të dorëzuara, e mos të flasim që deri para dy viteve ishin aty ku janë si prokurorë për të mbrojtur korrupsionin përmes aktakuzave qëllimisht të dobëta, por ju hodh sipër kryeshefit të KEK-ut nga LVV! Me porosi atëherë, me porosi gjithmonë, me porositës të njëjtë”, deklaroi ai.

Krasniqi, të cilin Kurti e shpërbleu me pozitën e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, u arrestua të mërkurën nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesit.

I besuari i Kurtit për KEK-un s’pranoi që t’i bastisen dy banesat e tij, nën pretendimin se është sëmurë. Nga QKUK përgjatë ditës kanë konfirmuar se Krasniqi ka refuzuar të marrë mjekim në Emergjencën e QKUK-së.

Prokuroria ka bërë të ditur se ka bastisur zyrën, dy banesa të tij, si dhe iu janë konfiskuar laptopi, telefoni e një USB.

“Njësia e Veçantë e Hetimeve sot ka bastisur zyrën e të pandehurit N.K. në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura”, u tha në njoftimin e Prokurorisë. /Demokracia.com/

Të ngjashme