Lajme
Vetëvendosje harron premtimin e Kurtit për shërbimin ushtarak, i gjuhen pasulit në Ministrinë e Mbrojtjes
Demokracia
09:12 | 25 Shtator 2024

Share:

“Me qeverisjen tonë shërbimi ushtarak bëhet i detyrueshëm në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira të vendeve të NATO-së. Do t’i fillojmë përgatitjet për shërbimin obligativ ushtarak, ky shërbim do të jetë në kohëzgjatje tremujore, i cili do t’i ndihmojë FSK-së t’i përmbushë detyrat dhe rolin e saj shtesë në fushën e mbrojtjes”.

Ky ishte premtimi i madh i Albin Kurtit si Kryeministër i Kosovës, deri sa po prezantonte programin e tij qeverisës para deputetëve të Kuvendit dhe qytetarëve, më 3 shkurt 2020.

Një premtim të tillë, Kurti e përseriste edhe një vit më pas si kandidat për kryeministër në Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës, të 14 shkurtit 2021, shkruan Demokracia.com.

“Do ta bëjmë ushtrinë 6 muaj, 3 muaj verës dhe 3 muaj dimrit. Ne do ta bëjmë shërbimin ushtarak të detyrueshëm vetëm nëse do të pajtohen (të rinjtë) përndryshe do të kenë shërbim civil. Kemi kohë në 2021 ta planifikojmë buxhetin për vitin tjetër, por do ta rishikojmë buxhetin aktual menjëherë dhe do ta sjellim në Kuvend në legjislaturën e ardhshme”, premtonte Kurti.

Këto dy premtime të mëdha të Kurtit, shpejt do të mbeteshin vetëm si të tilla, premtime.

Sipas raportimeve të shumta të mediave, situata ka ndryshuar në Ministrinë e Mbrojtjes, në organin politik që udhëheq me Forcën e Sigurisë së Kosovës.

MINISTRIA E MBROJTJES I SHPALL SEKRET SHTETËROR PASULIN DHE ORIZIN

Pasuli dhe orizi, si pjesë kryesore e shujtës ditore të ushqimit për ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, nuk mund të llogaritet më si një ushqim i zakonshëm në Kosovë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, tash e kanë listuar pasulin dhe orizin si sekret shtetëror.

Sipas raportimeve të medieve, ministri Maqedonci ka refuzuar që ta nënshkruajë një vendim të tillë, por kjo është bërë nga zëvendësi i tij, Shemsi Syla, i cili e ka shfrytëzuar mungesën e ministrit në Kosovë dhe e ka nënshkruar atë.

Pas kësaj, Ministria e Mbrojtjes ka vendosur që të zhvillojë tender të mbyllur, duke përzgjedhur fituesit me vetëm disa oferta dhe jo një proces prokurimi të hapur qoftë edhe për shkak të vlerës së madhe, mbi 10 milionë euro për tri vitet e ardhshme.

Deri më tani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka bërë asnjë reagim zyrtar për situatën e krijuar në Ministrinë e Mbrojtjes.

Ndërsa, zëvendësministri Syla i ka quajtur të gjitha raportimet si spekulime. “Të gjitha janë spekulime. Jo nuk është sekret shtetëror çështja e ushqimeve brenda Ministrisë së Mbrojtjes. Nuk e di ku e kanë gjetur këtë term. Me gjithë këta njerëz që shpifin dhe degradojnë integritetin njerëzor dhe institucional, njerëz që punojnë në institucione do të përballen me prokurorinë”.

Syla para se të bëhej zëvedësministër ishte pjesë e Kuvendit të Kosovës si deputet i Lëvizjes Vetëvendosje. Me krijimin e Qeverisë Kurti, Syla ishte emëruar nga Kurti në postin e zëvendësministrit të Ministrisë së Mbrotjes. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 08 Dhjetor 2024