Lajme
Vetëvendosje e promovoi si arritje të Qeverisë Kurti, por Dogana e Kosovës në Portin e Durrësit ishte inauguruar më 2019
Demokracia
16:20 | 10 Tetor 2022

Share:

Më 15 janar të vitit 2019, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kishin inauguruar Zyrën Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit.

Atë kohë, në ceremoninë e hapjes së kësaj zyre, kishte marrë pjesë kryeministri shqiptar, Edi Rama, zëvendëskryeministri i atëhershëm, Fatmir Limaj, si dhe ministrat e financave të të dyja vendeve, Arben Ahmetaj dhe Bedri Hamza, si  dhe dy Drejtorët e Përgjithshëm të Doganave, Belinda Ikonomi  dhe Bahri Berisha, shkruan Demokracia.com.

Fatmir Limaj dhe Edi Rama në ditën e inaugurimit të Terminalit Doganor në Portin e Durrësit më 15.01.2019.

Gjatë inaugurimit nga përfaqësuesit të të dyja vendeve u tha se, Zyra Doganore e Kosovës në Portin e Durrësit do të kthehet në një Port strategjik për gjithë hapësirën shqiptare dhe se ky është hapi i parë i bashkimit të plotë të doganave mes dy vendeve.

Por pas më shumë se tre vjet e gjysmë, Terminalin Doganor të Kosovës në Portin e Durrësit, Lëvizja Vetëvendosje, partia e Albin Kurtit, e cila është në pushtet, po mundohet që ta “shes”, si një arritje të qeverisë së tij, shkruan Demokracia.com.

15.01.2019
Zyra e Terminalit Doganor të Kosovës në Portin e Durrësit 15.01.2019.

Përmes një videoje propagandistike të radhës, Lëvizja Vetëvendosje ka sulmuar të gjitha terminalet doganore, duke thënë se janë të lidhura me opozitën e tashme, por Terminalin Doganor në Portin e Durrësit, po e cilëson si arritje të Qeverisë së Kurtit.

“Terminali i Kosovës në Portin e Durrësit filloi punën me kapacitete të plota këtë javë. Ekonomia jonë për eksporte dhe importe tashmë ka qasje në det dhe tregje globale. Urime të gjithëve!”, thuhet ndër të tjerash në videon e publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Lëvizja Vetëvendosje, më saktësisht Albin Kurti, dështimin e tij në qeverisje dhe mungesën e investimeve kapitale, po mundohet ta fsheh përmes videove propagandistike që ka filluar t’i publikojë kohëve të fundit. /Demokracia.com/

Të ngjashme