Lajme
“Vetëvendosje e ka futur shtetin në izolim, nuk i ka numrat”, kritikat e fundit nga PDK e LDK
Demokracia
08:32 | 24 Maj 2025

Share:

Të premten dështon për të 20-tën herë me radhë përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje nuk i kishte numrat, e seanca u shty për 48 orët e ardhshme.

VV vazhdoi edhe dje me përpjekjen për ta ndryshuar formën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, në votim të fshehtë, por që nuk ka marrë mbështetje.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës thonë se Vetëvendosje e Albin Kurtit nuk i ka votat dhe e akuzojnë se e ka futur shtetin në izolim, shkruan Reporteri.net.

Deputetja Deliu-Kodra, duke krahasuar situatën e tanishme me atë të vitit 2014, tha se partia fituese asokohe ka arritur që të bashkërendojë partneritetin e saj me partitë tjera, për të siguruar shumicën e votave në Kuvend.

“Subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me partitë tjera, ‘Alternativa’ dhe ‘Lista Guxo, ndonëse nuk i kanë votat për të siguruar votat e mjaftueshme për ta pasur shumicën në Kuvend, nuk kanë vullnet politik për të bërë një lëvizje, qoftë për ndërrimin e kandidates për të parin e Kuvendit, qoftë me propozimet, të cilat i kanë marrë nga një grupim parlamentar për dy emra të rinj për të kaluar në orën demokratike , ose më mirë të them orën kushtetuese të krijimit të qeverisë ”, tha Deliu- Kodra në RTK.

Deputetja Deliu-Kodra vuri në dukje se në të kaluarën Lëvizja Vetëvendosje në të kaluarën nuk ka votuar në favor të ndonjë kandidati të nominuar nga subjekti që ka dalë fitues në zgjedhjet parlamentare.

Ajo më tej shtoi se po t’i kishte votat për themelimin e qeverisë, do t’i kishte votat edhe për zgjedhjen e të parit të Kuvendit.

Kurse, deputeti i LDK-së, Anton Quni, ndërsa ka folur për moskonstituimin e Kuvendit as për herën e 20-të, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje, e cila e ka të drejtën për të bërë propozimin për kryetar të Kuvendit, nuk po arrin të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave.

“Ne si LDK kemi dalë me një ‘projekt’ për një qeveri gjithëpërfshirëse me një kohë të limituar dhe me një agjendë të veçantë sipas prioriteteve. Me këtë, jemi munduar dhe po mundohemi t’i japim përgjigje kësaj situate e cila është krijuar dhe për të cilën partia me numrin më të madh të ulëseve në parlament nuk po arrin të bëjë zgjidhje”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për bllokun e LDK-së ndaj LVV-së.

Quni ka thënë se LDK ka një përvojë me LVV-në gjatë qeverisjes së përbashkët.“Nga ana e Vetëvendosjes nuk është përmbajtur atyre marrëveshjeve paraprake se si do të duhej të sigurohej qëndrueshmëria e një qeverie. Pastaj, ky hendek thellohet gjatë mandatit të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, që e ka futur shtetin në një izolim. Nuk kemi thuajse fare marrëdhënie diplomatike me qendrat e vendimmarrjes, me partnerët tanë, me aleatët tanë. Nuk ka ndonjë perspektivë për integrime euroatlantike, dhe çështjet tona të brendshme, siç është zhvillimi ekonomik, nuk ka”, ka thënë ai, për TV Dukagjini.

“Jemi në një gjendje shumë të mjerueshme, jeta e qytetarëve është shumë e rënduar. Kosova nuk është një vend që inkurajon afaristët për investime serioze”, ka përfunduar ai.

 

Të ngjashme