Lajme
Vetëvendosja nxjerr video ku heroin e Albin Kurtit, Oliver Ivanoviqin e paraqet si pjesë të ‘milicisë fashiste’
Demokracia
15:39 | 08 Qershor 2023

Share:

Në videon që Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar sot, ku thotë se Republika e Kosovës, nuk ‘i nenshtrohet milicisë fashiste të Vuçiqit’ pjesë e saj është edhe sekuenca ‘Nata e Tmerrit’ e vrasjes së 10 civilëve shqiptarë në vitin 2000.

Sipas Vetëvendosjes, atë natë e kishte organizuar Oliver Ivanoviq, që më vonë, Kurti në pushtet do ta shpallte hero.

Ja pjesa e videos dhe videoja e plotë propaganduese e partisë në pushtet;

Albin Kurti, pati bërë një dedikim në kujtim të politikanit të vrarë serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Siç shprehet Kurti, Ivanoviq, ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij.

Tutje ai thotë se këtë Ivanoviq e bënte duke qenë i hapur, i sinqertë dhe gjithmonë i mprehtë.

“Sot ne përkujtojmë jetën dhe kujtimin e Oliver Ivanoviqit, në ditën e vdekjes së tij. Mendimet dhe ngushëllimet e mia janë me familjen dhe miqtë e tij. Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike.

Albin Kurti dikur: Oliver Ivanoviq është kriminel

Oliver Ivanoviq është kriminel lufte, shprehej Albin Kurti, para disa vitesh.

Kur Gjykata Themelore në Mitrovicë e kishte shpallur fajtor Oliver Ivanoviqin në janar të vitit 2016, duke e dënuar me 9 vjet burgim për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë gjatë viteve 1999-200, partia që drejtohet nga Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, e kishte quajtur “poshtërim” aktgjykimin.

“Drejtësisë me komponentë ndërkombëtarë i janë dashur gjithsej 17 vite që ta shpallin të fajshëm personin përgjegjës për vrasjen, lëndimin, dëbimin dhe shkatërrimin e pronave të shqiptarëve në veri të Mitrovicës. Oliver Ivanoviq dhe bashkëpunëtorët e tij gjatë dhe pas përfundimit zyrtar të luftës në Kosovë janë angazhuar për realizimin e planit hegjemon të shtetit të Serbisë – kolonizimi i Kosovës dhe spastrimi i tij. Oliver Ivanoviqi dhe bashkëpunëtorët e tij nuk janë asgjë më pak se sa konkretja e doktrinës së Ilia Grashaninit – vrit dhe dëbo”, thuhej atëherë në reagimin e LVV-së.

Ai aktgjykim, për LVV-në e Albin Kurtit shpërfaqte “padrejtësinë ndërkombëtare”.

“Veprat për të cilat është gjykuar Oliver Ivanoviqi përbëjnë veprat penale të nivelit ndërkombëtar, e që konsiderohen si vlera të mbrojtura në të mirë të mbarë njerëzimit. Veprimet e grupit të Ivanoviqit nuk dhunuan vetëm vlerat e mbrojtura me ligjet vendore. Ata dhunuan vlerat e mbrojtura me katër konventat e Gjenevës dhe aktet e tjera që sanksionojnë veprimet të tilla si krime ndërkombëtare. Shqiptimi i një dënimi të tillë e tregon më së miri gatishmërinë që sunduesit e ligjit sa janë të gatshëm të mbrojnë postulatet më vlefshme dhe të mbrojtura në nivel ndërkombëtar”, thuhej tutje në reagim.

Të ngjashme