Kundërshtim me protesta kanë paralajmëruar veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rast se të enjten deputetët e Kuvendit nisin ndryshimin në ligjin për veteranët, që lidh pensionin me pagën minimale në vend.
Kryetari në detyrë i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti e ka quajtur mashtruese, teksa tha se me këtë veprim ata [qeveria] do të bënin shkelje kushtetuese.
Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës sot mban seancën e radhës plenare, ku në pikën e pestë të rendit të ditës është shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhura personale vjetore.
Postimi i plotë:
Të nderuar deputetë,
Nesër në seancën e Kuvendit të Kosovës, si pikë 5 e rendit të ditës është paraparë që të diskutohet rreth pagës minimale, ku me anë të projektligjit, tentohet që të ndryshohen ligje që t’i heqin veteranët e luftës nga rritja e pagës minimale.
Kjo qeveri mashtruese, duhet ta ketë parasysh se me këtë po bën edhe shkelje kushtetuese.
Prandaj, deputetë të nderuar, ju bëj thirrje që mos t’iu përdor Albin Kurti si mashë e kundër vlerave të lirisë, dhe ta keni parasysh se kjo gjë do të kundërshtohet me protesta nga ana jonë. /Demokracia.com/