Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kanë kthyer letër Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit pas përjashtimit nga Ligji i Pagave.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL -UÇK-së Faton Klinaku e ka publikuar letrën drejtuar Kurtit në Facebook.
OVL-UÇK thotë se propozimi i Kurtit për hartimin e një ligji të ri është ndërhyrje në procesin gjyqësorë.
Sipas tyre, për t’i trajtuar në mënyrë sa më të dinjitetshme kategoritë e luftës së UÇK-së, ka nevojë që ligji aktual në fuqi të plotësohet e me akte nënligjore që janë bërë deri më tani nga Qeveria e Kosovës dhe ministritë përkatëse.
Siç thuhet në letrën drejtuar Kurtit, OVL-UÇK konsideron se ligji i ri për proces vlerësimi dhe verifikimi për të gjithë pjesëmarrësit e luftës çlirimtare mund të bëhet, por ata konsiderojnë se së pari duhet të plotësohen disa kushte:
-Duhet që aplikacionet apo dosjet e kategorive të luftës së UÇK-së të merren nga Prokuroria, sepse aty janë të dhënat e plota për secilin dhe vetëm në bazë të tyre bëhet kjo
-Duhet që nga gjykata të shpallet procesi i vlerësimit e verifikimit i pavlefshëm ose të kthehet në pikën zero
-Duhet të krijohet komisioni i ri qeveritar, i cili me komandantët apo zi ngjirin komandues të UÇK-së, si dhe përgjegjësit e të gjitha njësive do ta bënte këtë vlerësim dhe verifikim, por pse jo edhe nëse është e nevojshme të bëhet proces i ri aplikimi.
Ndryshe, kryeministri Albin Kurti i ka dërguar një propozim me shkrim ushtruesit të detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, sipas të cilit propozohet që menjëherë dhe bashkërisht të fillojë hartimi i një ligji të ri, i cili e nis një proces të vlerësimit dhe verifikimit të të gjithë pjesëmarrësve të luftës çlirimtare.
Ndërkohë, derisa të përfundojë ky proces, si mbështetje shtesë, Kurti propozon përkrahje në punësimin e veteranëve përmes masave aktive të tregut të punës, duke subvencionuar një pjesë të pagës për një periudhë të caktuar. /Demokracia.com/
Postimi i plotë i Klinakut:
Përgjigje letrës së Kryeministrit Albin Kurti
Shkresë nga OVL UÇK