Lajme
Vetëm 45 të dënuar nga mbi 120 të akuzuar për krime lufte në Kosovë
Demokracia
21:37 | 15 Maj 2022

Share:

Mbi 120 aktakuza për krime lufte janë ngritur kundër një numri të madh të të akuzuarve, përderisa nga gjykatat janë dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm vetëm 45 persona.

Njohës të fushës thonë se përgjegjësia mbetet të institucionet vendore, por edhe tek ato ndërkombëtare si UNMIK e EULEX që deri vonë e kanë pasur kompetencë që t`i hetojnë e t`i gjykojnë këto krime.

“Ka pasur një numër shumë të madh të akuzuarve. Ka pasur një numër mbi 120 të akuzuar për krime lufte mirëpo deri më tash nga gjykatat në Kosovë janë dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm vetëm 45 persona. Është një numër më i madh i proceseve gjyqësore, por jo të gjitha kanë përfunduar me një aktgjykim dënues të plotfuqishëm”, tha Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

Ndërkaq, Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se Kosova nuk ka kapacitete të mjaftueshme për hetimin e krimeve të luftës dhe se duhet të rritet numri i prokurorëve në Departamentin për Krime të Luftës.

“Deri më tani në Kosovë ka pasur një amnisti të heshtur ndaj krimeve të luftës dhe kjo ka ndodhur për faktin se të njëjtat nuk janë hetuar dhe nuk janë gjykuar. Ky dështim në radhë të parë i referohet institucioneve ndërkombëtarë që kjo ka qenë në kompetencë të UNMIK-ut dhe ky dështim ka kaluar edhe tek EULEX. Secila ditë e kaluar e vështirëson hetimin. Secila kohë që kalon e vështirëson edhe hetimin. Vdesin dëshmitarët, humbin pistat e hetimeve apo edhe vdesin të pandehurit”, tha Shala, RTK.

Për gjykimin në mungesë, Shala tha se deri tani nuk ka pasur asnjë rast të tillë, po që thotë se kjo do të jetë tejet e vështirë.

Të ngjashme
Lajme • 19 Maj 2024