Lajme
Vetëdorëzohet në polici pas pesë muajsh- Ky është personi që tentoi t’i shtypte me veturë dy policë
Demokracia
23:43 | 25 Maj 2025

Share:

Në dhjetor të vitit të kaluar, një person tentoi të godasë me veturë dy zyrtarë policorë në fshatin Llukar të Prishtinës, ngjarje kjo që u cilësua si tentim vrasje ndaj personave zyrtarë.

Siç raporton Sinjali, bëhet fjalë për Burim Behlulin, rreth 40-vjeçar, i cili ishte në arrati për më shumë se pesë muaj dhe u vetëdorëzua më 25 maj 2025 në zyrat e Njësisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë, së bashku me avokatin e tij mbrojtës.

Ngjarja për të cilën ai po hetohet kishte ndodhur më 15 dhjetor 2024, kur Policia kishte ndërmarrë një aksion në zonën e fshatit Mramor, pas informacioneve për një veturë të dyshimtë “VW Passat” me tre persona brenda. Kur vetura u pikas nga njësitë policore në “Qamerlia”, u largua me shpejtësi drejt Llukarit.

Në hyrje të këtij fshati, zyrtarët policorë kishin vendosur një pikë kontrolli dhe tentuan ta ndalonin automjetin, por shoferi – dyshohet Behluli – jo vetëm që nuk ndaloi, por tentoi ta shtypte me veturë njërin nga policët, me inicialet L.Sh.

Për ta neutralizuar sulmin, policët L.Sh. dhe A.A. ishin detyruar të përdornin armët e shërbimit. Rasti u raportua menjëherë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, por procedura u iniciua vetëm një ditë më pas me udhëzim të prokurores kujdestare, nën klasifikimin “Vrasje në tentativë ndaj personit zyrtar”.

Pas vetëdorëzimit, Behluli është intervistuar në prani të avokatit të tij dhe me urdhër të Prokurorit është dërguar në ndalim për 48 orë në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë.

Të ngjashme