Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është kthyer nga Nju Jorku i Shteteve të Bashkuara të Amerikës me kërkesa të qarta për kryeministrin Albin Kurtin, por ende nuk ka marrë përgjigje prej tij nëse pajtohet me rrugën e propozuar.
Sipas Osmanit, kryeministri Kurti duhet ta hartojë statutin për themelimin e Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe të zbatojë Marrëveshjen Bazë të Brukselit (27 shkurt 2023) dhe pjesën integrale të saj, Aneksin e Ohrit (18 mars 2023).
Kërkesa e Osmanit është e çuditshme, pasi për këto marrëveshje të arritura nga kryeministri Albin Kurti, ajo ka shprehur publikisht dyshimet dhe papajtueshmërinë, shkruan Demokracia.com.
Vetëm një ditë pas dakordimit për planin franko-gjerman apo Marrëveshjen e Brukselit, më 28 shkurt 2023, presidentja Osmani kishte reaguar duke e parë me dyshime Nenin 7 të kësaj marrëveshje, ku serbëve u sigurohet vetëmenaxhim dhe rregullim i statutit juridik të Kishës Ortodokse Serbe.
“Me këtë marrëveshje, dje janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta, që lidhen me vetëmenaxhimin e pakicës serbe në Kosovë dhe rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe. Teksti i marrëveshjes nuk i sqaron tërësisht implikimet nga këto si dhe disa çështje të tjera, të cilat duhet të sqarohen domosdoshmërisht para se të finalizohet Plani i Zbatimit”, kishte thënë Osmani.
Por, edhe pse Plani i Zbatimit është finalizuar pak kohë pas arritjes së marrëveshjes, presidentja Osmani nuk ka hequr dyshimet e saj as 7 muaj pas dakordimit në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq. Këto dyshime ajo i ka shprehur edhe dje në një intervistë për RTK-në.
“Ajo marrëveshje nuk është perfekte për Kosovën. I ka të mirat e saj, i ka disa gjëra që ende kam dyshimet e mia se si do të zbatohen në praktikë.
Mirëpo, ne e kemi marrë obligim ndërkombëtar”, është shprehur Osmani, e cila ka sqaruar më tej se dyshimet e saj lidhen me Nenin 7 (Vetëmenaxhimin për serbët dhe Nenin 10, ku është edhe Zajednica/Asociacioni), për shkak se si do të zbatohen këto.
Për ta konkretizuar themelimin e Zajednicës, Osmani ka treguar se çfarë duhet të bëjë Kosova, në këtë rast kryeministri Kurti, mbi të cilin rëndon barra e dialogut me Serbinë. “Unë mendoj që kështu është zgjidhja: Të ulemi me partnerët tanë në ShBA. Ta prezantojmë para Sekretarit të Shtetit Amerikan, draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën e Mogherinit që garanton që Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan në editorialinn nga z. Chollet dhe z. Escobar, të cilët ndër të tjera sqarojnë se një trup e tillë do të jetë vetëm trupë koordinuese, pra pa kompetenca ekzekutive”, ka thënë Osmani. /Demokracia.com/