Lajme
Vetë është milioner, shefi i stafit të Kurtit thotë që dhuna në Kuvend ndodhi pas shqetësimeve financiare të opozitës
Demokracia
16:17 | 13 Korrik 2023

Share:

Shefi i stafit të Kurtit harron përgjimet Kusari-Simiq, thotë se dhuna në Kuvend erdhi pas shqetësimeve të opozitës për para.

Luan Dalipi, shefi i stafit të kryeministrit Albin Kurti, ka pretenduar se dhuna e sotme në Kuvend ndodhi pasi opozita ka “shqetësime financiare ose mungesë të tyre”.

Përmes disa shkrimeve në Twitter ai ka thënë se deputetët kanë shfrytëzuar 20 vjet për të grumbulluar pasuri personale.

“Sjelljes së disa opozitarëve sot i mungon fisnikëria; ajo është e motivuar kryesisht nga shqetësimet financiare ose më mirë mungesa e tyre. Këta deputetë kanë qenë në pushtet për rreth 20 vjet para qeverisë aktuale, gjatë së cilës ata kanë shfrytëzuar ndikimin e tyre politik për të grumbulluar pasuri personale përmes privatizimeve të ndryshme të aseteve publike. Qeveritë e mëparshme shpronësuan asetet e privatizuara me vlera dukshëm më të larta—deri në 100 herë se çmimi fillestar i blerjes…Epoka e tyre e përfitimit nga praktika të tilla tashmë ka marrë fund.” – ka thënë ai.

Tutje, Dalipi ka thënë se Kosova nuk ka pasur kurrë një qeveri më të suksesshme, dhe këtë, sipas tij po e dëshmojnë sondazhet të cilat “e kanë shqetësuar” opozitën.

“Për sa i përket reformave publike, parandalimit të krimit dhe korrupsionit, si dhe promovimit të mundësive të barabarta zhvillimi për të gjithë qytetarët, Kosova nuk ka pasur kurrë një qeveri më të suksesshme. Përmirësimet e prekshme po i pranojnë qytetarët, siç e dëshmojnë edhe sondazhet e fundit dhe kjo është edhe një nga burimet e shqetësimit të opozitës.” – deklaroi tutje ai.

Kur është fjala te pasuria, vlen të theksohet se Dalipi është milioner.

Veç një shtëpi që shefi i stafit të kryeministrit e ka në pronësi të përbashkët, kushton gati një million euro, pra rreth 950 mijë euro.

Ai ka deklaruar se e ka edhe një banesë që kushton 110 mijë euro, një depo që kap vlerën e gjashtë mijë euro dhe një garazh e cila i kushton tre mijë e 200 euro.

Të ngjashme