Lajme
Vështirë që Kosova dhe Serbia këtë vit të arrijnë marrëveshje
Demokracia
17:00 | 03 Mars 2021

Share:

Kosova dhe Serbia për gati një dekadë kanë zhvilluar bisedime në mënyrë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare, e cila do t’i hapte rrugë proceseve të rëndësishme për të dyja vendet. Megjithatë, ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare në vend kanë mendime të ndara lidhur me këtë çështje.

Në vitin 2011, Kosova dhe Serbia filluan bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve, kjo pas Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e cila mirëpriste mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe gatishmërinë e BE-së për të lehtësuar dialogun.

Lidhur me këtë çështje, Demokracia.com ka biseduar me njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilët kanë pasur mendime të ndara rreth finalizimit të dialogut.

Drejtoresha ekzekutive e Platformës CiviKos, Donika Emini, për Demokracia.com ka thënë se marrëveshja në mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë në agjendën e Bashkimit Evropian për këtë vit, megjithatë, ajo shprehet skeptike se do të përmbyllet brenda kësaj periudhe.

“Marrëveshja ka qenë në agjendën e BE-së për këtë vit, mirëpo nuk besoj që ka kohë të krijohet kohezioni i kthimit në proces dhe nënshkrimi i një marrëveshjeje”, tha Emini.

Emini tutje ka deklaruar se marrëveshja arrihet vetëm nëse vjen diçka e gatshme nga Shtetet e Bashkuara apo Bashkimi Evropian, e që sipas saj, kjo nuk është efektive për procesin.

“Dihet mirë se ka nevojë që ky proces të rindërtohet, gjithashtu rindërtimi i besimit mes palëve dhe duke marrë parasysh dinamikën e zhvillimeve, jo vetëm në Kosovë dhe rajon, por edhe jashtë, sidomos me COVID-19, nuk besoj se do të ketë marrëveshje, vetëm nëse shkon diçka e gatshme nga SHBA-ja ose BE-ja, por një gjë e tillë nuk është e efektshme për procesin”, tregoi Emini për Demokracia.com

Ndërkaq, Jeta Krasniqi nga Instituti i Kosovës për Demokraci (IKD) tha se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk dëshiron marrëveshje e cila përfundon me njohje reciproke.

“E kemi të qartë se Vuçiq qartazi nuk është i gatshëm dhe nuk është i interesuar të ketë marrëveshje me Kosovën, në të cilën do të ketë njohje reciproke deri në zgjedhjet presidenciale të Serbisë, të cilat mbahen vitin e ardhshëm”, tha Krasniqi për Demokracia.com

Ajo mes tjerash ka shtuar se që procesi të shkojë përpara, duhet që SHBA-të dhe BE-ja të merren vesh.

“Prandaj ne nuk mund të presim që të ketë një marrëveshje me njohje reciproke dhe siç ka kërkuar presidenti Biden, kur nuk ka një gatishmëri nga ana e presidentit të Serbisë. Ajo se çfarë do të presim në këtë fazë është që të jetë në radhë të parë një dakordim në mes SHBA-së dhe Bashkimit Europian se si duan ta çojnë këtë proces përpara. Në të kaluarën kemi parë se ka pasur qëndrime të ndryshme, pra nuk ka qenë uniteti transatlantik. Tani duket që ka një gatishmëri por ende nuk ka një pozicionim të qartë mes SHBA-së dhe BE-së sepse duket që palët ende nuk janë ulur ta diskutojnë më në detaje këtë çështje”, tha Krasniqi për Demokracia.com.

Krasniqi nuk pret që të ketë një angazhim të shpejtë drejt marrëveshjes, mirëpo shpreson që qeveria e ardhshme ta shtyjë këtë proces përpara.

“Administrata e Biden sapo është formuar dhe nuk është konstituuar deri në fund dhe dihet se edhe për këtë administratë çështja e Kosovës dhe e Serbisë është çështje primare, por është një ndër çështjet primare në kuadër të bashkëpunimit me BE-në. Gjatë këtij viti ne do të kemi një bashkërendim në mes SHBA-së dhe BE-së, por edhe një qetësim më të madh të këtij procesi dhe ndërtimin e një strategjie të mirëfilltë të brendshme të Kosovës për këtë proces. Nuk pres të ketë një angazhim të shpejtë drejt marrëveshjes, mirëpo shpresoj që qeveria Kurti, kurdo që ajo të formohet do të bëjë një vlerësim të procesit t’i japë kahjen që e vlerëson se është më e mirë, sipas këndvështrimit të tyre dhe më pas të ecet përpara me proces”, tha Krasniqi.

Në anën tjetër, Afrim Hoti, profesor universitar i të Drejtës Ndërkombëtare, për Demokracia.com ka thënë se formimi i administratës së re në SHBA, ka krijuar mundësinë që të nënshkruhet një marrëveshje.

“Tash është spekulative me përmend data megjithatë nëse merren parasysh këto rrethana do më thënë, fuqinë politike të z. Vuçiq në Serbi, pastaj ndryshimet në Kosovë, administratën e re amerikane, pastaj arrestimet ose dërgimet e krerëve të UÇK-së para Gjykatës Speciale, mendoj se janë krijuar të gjitha rrethanat që definitivisht të nënshkruhet marrëveshja që tash e sa kohë po e presim”, tha Hoti.

Vlen të theksohet se gjatë këtyre ditëve në Kosovë ka qëndruar për vizitë tre ditore emisari i BE-së për dialogun, Mirsollav Lajçak.

Ky i fundit është shprehur i bindur se kjo çështje do të përfundojë brenda disa muajve.

“Do të vazhdojmë sa më shpejt që është e mundur dhe kurdo që Kosova dhe Serbia do të jenë të gatshme. Mund të them se kjo do të përfundojë brenda disa muajve dhe jo brenda disa vjetëve. Nëse takohemi në baza javore do të përfundojë më shpejt por edhe nëse ka vullnet”, tha ai.

Lajçak pritet që vizitën e tij nga sot ta vazhdojë në Serbi, ku në orën 18:00 do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vucic.

Pjesë e diskutimit mes Lajçakut dhe liderëve serbë, pritet që të jetë edhe dialogu dhe marrëveshja përfundimtare me Kosovën./Demokracia.com/

Të ngjashme