Lajme
Vërshojnë rrjetet sociale me kërkesën për shkarkimin e ministres Hajdari, pasi shkeli të miturin me veturë
Demokracia
00:35 | 11 Prill 2022

Share:

Demokracia.com ekskluzivisht ka raportuar sot se një fëmijë i moshës së mitur ka pësuar lëndime trupore, pasi ai është goditur nga vetura e Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, rreth orës 12:25 në rrugën “Vicianum”, në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

Në orët e vona të mbrëmjes, ministrja Hajdari u lajmërua me një postim në Facebook, ku e konfirmoi aksidentin duke u munduar ta shfajësonte veten.

Hajdari shkroi se fëmija u përplas në veturën e saj.

Megjithatë, atë e demantoi raporti i Policisë së Kosovës, të cilin e siguroi Demokracia.com.

Në pjesën përshkruese të raportit zyrtar të policisë thuhej se aksidenti ishte shkaktuar si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë ndaj kushteve të rrugës nga ana e ministres Rozeta Hajdari.

“Me datë 10.04.2022 rreth orës 12:25 në rrugën “Vicianum” në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Auto 1 Ford Fiesta ngjyrë e kaltër, shofer Rozeta Hajdari FSHK e lindur ***. Këmbësori i lënduar I.B. i lindur me ** 2012 në Prishtinë. Shkaku i aksidentit, mospërshtatja e shpejtësisë kushteve të rrugës”, thuhej në raportin e siguruar nga Demokracia.com.

Megjithatë, ky dokument ishte në shpërputhje të plotë me atë çfarë kishte shkruar ministrja Hajdari.

“Për hir të informimit te drejtë, sot në mesditë në rrugën Vicianum në lagjen “Arbëria” të Prishtinës, gjersa po kthehesha me veturën time personale për në banesë, gjatë vozitjes sime pranë Meridian Market, papritmas u shfaqën dy fëmijë në vrapim për të kaluar rrugën, ku fatkeqsisht njëri nga ta u përplas në veturën time. Me shqetësim menjëherë kam reaguar, duke i ofruar ndihmë fëmiut dhe kam lajmëruar Policinë të cilët janë marrë me gjithë evidencën e rastit. Ndjehëm më e lehtësuar, që pas ekzaminimeve mjekësore, fëmiu nuk pësoi lëndime të rënda dhe është kthyer në shtëpi. Fëmiut i uroj shëndet e jetë të gjatë!”, shkroi ministrja Hajdari.

Me t’u mësuar fakti se ajo gënjeu publikisht, pasi u publikua raporti policor nga Demokracia.com, filluan edhe reagimet në rrjetet sociale.

Gazetari Vehbi Kajtazi përmes rrjetit social “Twitter” shprehu indinjatën e tij, duke thënë se sipas rregullave, ministrja Hajdari sonte do duhej të ishte nën masën e ndalimit.

Ndërkaq, publicisti Halil Matoshi kërkoi ndëshkim për krimin dhe dorëheqje të ministres Hajdari, si akt i etikës së pushtetit.

Edhe gazetari Berat Buzhala ka kërkuar dorëheqjen e Hajdarit.

“Doreheqje: Ministerja Hajdari po genjen”, ka shkruar Buzhala.

Në anën tjetër, Ilir Mirena, ironizoi duke thënë se brenda vendbanimit ku shpejtësia është shumë e limituar, ministres sonë një fëmijë i papërgjegjshëm iu paska përplas për kerri!

Po ashtu, edhe gazetari Parim Olluri ironizoi me arsyetimin e ministres Hajdari, duke thënë se duhet të dënohen fëmijët që po dëmtojnë imazhin e Qeverisë Kurti.

Ndërkaq, Muhamet Hamiti, tha se shkeljet e pushtetit “Krejt dhe Drejt” po marrin hov.

Të ngjashme