Lajme
Vërshimet në Pejë shkaktuan dëme edhe në shtëpi e biznese, priten vlerësimet zyrtare
Demokracia
20:11 | 25 Qershor 2023

Share:

Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e vërshimeve që ndodhën të shtunën mbrëma në qytetin e Pejës.

Vërshimet e së shtunës në qytetin e Pejës kanë shkaktuar edhe dëme të shumta materialë si në shtëpi, po ashtu edhe në biznese.

Të prekurit nga to thonë se asnjëherë nuk ka pasur dëme kaq të mëdha edhe pse ka pasur vërshime më herët, teksa tregojnë se deri në mesditë nuk janë vizituar nga askush prej Komunës. E përfaqësues të Komunës thonë se ekipet janë në teren dhe se do të bëjnë vlerësimin e dëmeve.
Vërshimet e së shtunës në Pejë shkaktuan dëme të mëdha në shtëpi e biznese.

Valentina Dreshaj Hajrizi, që ka një dyqan në lagjen “Asllan Çeshme” tregon se dëmet që iu shkaktuan në biznesin familjar janë shumë të mëdha.

Ajo thotë se nuk ka mund të shpëtojë asgjë për shkak të shiut e breshrit të rrëmbyeshëm.

“Dëmet janë shumë të mëdha sepse siç e dimë para Bajramit jemi furnizu shumë se tash është festa, por kanë shkuar krejt po e shihni edhe vetë nuk ka mbetura kurrgjë. Dëmet janë shumë të mëdha, po presim tash çka po bën shteti për ne”, ka thënë Dreshaj-Hajrizi.

Sipas saj, që nga mbrëmja e së shtunës deri në mesditë nuk ka qenë askush nga komuna për t’u marrë me dëmet e shkaktuara.

“Vërshime ka pasur, por dëme nuk kemi pasur këtu asnjëherë, vetëm mbrëmë ka qenë niveli shumë i madh i ujit, kemi qëndruar deri në mëngjes gati këtu, por nuk ka deri sa është ndalë uji vetë edhe shiu, kurrgjë nuk kemi mund me bë”, ka thënë ajo.

Banorë thonë se kanë bërë një kërkesë para tre vjetësh për rregullimin e rrugës “Azem Bejta” të kësaj lagjeje, por sipas tyre, nuk është ndërmarrë asgjë.

“Ajo pjesa ka nisë me u shembë, me u rrënu edhe është e gatshme për vërshime të tjera do të thotë kurrgjë nuk janë këto dëme çka po i shihni ose çka i keni pa deri sot çka mundet me ndodhë, janë dëme shumë të mëdha që kanë përfundu edhe me jetë fatkeqësisht”, ka thënë Blerim Hasani, banor.

Adem Tahiri ka bërë përgjegjës udhëheqësit komunalë që nga paslufta për situatën e krijuar.

“Prej pas lufte e këtej nuk kanë marrë masa si duhet edhe kjo përsëritet qe disa herë. Mbyllet një vend kur del jashtë rrugë edhe po e merr krejt qytetin. Kjo katastrofë e ka përfshi qendrën e qytetit. Mbrëmë kam qenë në qendër të qytetit komplet ato shitoret, kafiqat krejt çka ka pasur, komplet ja u ka marrë edhe ja u ka shkatërruar ,do të thotë është një katastrofë e përgjithshme”, ka thënë Adem Tahiri, banor.

Zëdhënësi i Komunës së Pejës, Faik Zekaj, theksoi se dëmet materiale janë shumë të mëdha.

“Ekipet janë prej mbrëmjes në teren, në këtë pjesë kemi qenë deri në 4 ora në mëngjes, në 3:30. Ekipet janë në teren edhe tash t’u punu siç po e shihni, janë t’u i largu në pjesë të ndryshme ku po ka kërkesa më të mëdha, por primare e kemi pasur me pastru lagjen ‘Asllan Çeshmja’ dhe në Fidanishte, rruga kryesore ku ka pasur prurje prej pjesës lartë”, ka thënë Zekaj.

Sipas Zekajt, do të bëhet vlerësimi i dëmeve dhe në bashkëpunim me nivelin qendror do t’u dilet në ndihmë banorëve.

Peja ka qenë një ndër komunat e prekura edhe nga vërshimet e janarit të këtij viti.

E KRU ‘Hidrodrini’, ka njoftuar se uji në territorin e Komunës së Pejës sikur edhe në tërë zonën e mbulueshmërisë, është i sigurt për pije, duke mbetur brenda standardeve të parapara.

Të ngjashme