Disa komuna të Kosovës janë përfshirë nga vërshimet, pas reshjeve të shumta të shiut dhe bores, që ranë gjatë natës së mbrëmshme dhe disa ditë më parë.
Sasia e madhe e reshjeve ka bërë që disa rrugë në disa komuna të përfshihen nga uji, e në disa pjesë të tjera uji ka arritur të depërtojë edhe në disa shtëpi.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë për Telegrafin se situata nuk është e mirë.Ai ka shtuar se kryetarët e komunave janë në terren për të mbikëqyrur situatën.
“Të gjithë kryetarët në zonat e prekura së bashku me shtabet komunale dhe me drejtoritë komunale janë duke punuar pa ndalur në mënyrë që situata të tejkalohet. Kryetarët e komunave janë në terren së bashku me qytetarët e komunave përkatëse. Situata po shihet që nuk është e mirë”, u shpreh Ibrahimi.
Deri më tani situatë më e rëndë nga vërshimet paraqitet në komunën e Rahovecit, ku janë evakuuar disa familje. Po ashtu edhe në Gjilan situata nuk është e mirë.
Reshjet probleme kanë shkaktuar edhe në komunat Fushë Kosovë, Drenas, Lipjan, Klinë etj.