Lajme
Veriu dhe mungesa e investimeve të huaja po e dëmtojnë Kosovën, thotë kryetari i Odës Ekonomike
Demokracia
10:05 | 09 Mars 2024

Share:

Mungesa e investimeve të huaja dhe tensionet në Veri të Kosovës, sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, po dëmtojnë vendin në aspektin ekonomik.

Tensionet në Veri të Kosovës, sipas tij, po dëmtojnë imazhin e Kosovës në sytë e investitorëve potencial, andaj në vlerësimin e tij Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet në përmbylljen e dialogut me Serbinë.

“Çështjet e hapura që i kemi me Serbinë, ne duhet të i mbyllim sa më shpejtë që është e mundur në mënyrën më të mirë të mundshme me njohje, me marrëveshje finale për njohje të ndërsjellët. Tensionet që ndodhin në Kosovë pa dyshim që nuk janë një mesazh i mirë për investitorët e huaj.”, u shpreh Rafuna në një intervistë për Ekonomia Online.

Në anën tjetër dëmet e shkaktuara prej masave të Bashkimit Evropian, sipas Rafunës, kapi shifrën e 300 milionë eurove.

Kjo shumë, thotë Rafuna shkon duke u rritur në baza ditore, prandaj ai ka kërkuar koordinim nga institucionet kosovare me ato ndërkombëtare.

Në anën tjetër kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, ka potencuar se bizneset kanë mungesë së fuqisë punëtore.

Megjithatë ai ka mohuar pretendimet se ka ike masive nga Kosova, sidomos pas liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Ka raste që çdo në ditë ka dy, tre, katër biznese më lajmërojnë se janë në mungesë të punëtoreve. Mirëpo nuk kemi fluks të hovshëm të largimit”, ka theksuar ai.

Si shqetësuese, Sogojeva e ka vlerësuar mos-interesimin e Qeverisë së Kosovës për hartimin e ndonjë plani apo strategjie për parandalimin e ikjeve masive në të ardhmen.

Të ngjashme