Lajme
Vërejtja amerikane e padëgjuar më parë që alaramon se Kurti po shkelë zotimet ndërkombëtare që Kosova i mori kur fitoi mbështetjen për të krijuar shtetin
Demokracia
12:14 | 07 Shkurt 2024

Share:

Nuk ka ndodhur më parë, sado që situata ka qenë kritike, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta përmendin idenë mbi të cilën u shpallë pavarësia e Kosovës në vitin 2008 dhe që mori mbështetjen e fuqishme të botës perëndimore.

Kërcënimi më i madh e jashtëzakonisht serioz, që deri më tani ka ardhur nga SHBA-të për Qeverinë e Kosovës të drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, ka qenë se vendimet e njëanshme dhe të pakoordinuara në veriun e Kosovës, të cilat po përshkallëzojnë situatën e sigurisë, “po kufizojnë opsionet që SHBA-të të shërbejnë si avokuese efektive për Kosovës në arenën ndërkombëtare”, shkruan Demokracia.com.

Por, reagimet amerikane kanë shkuar edhe më larg pas 1 shkurtit 2024, kur hyri në fuqi Rregullorja e BQK-së për kufizimin e përdorimit të valutave të huaja, përfshirë dinarin serb dhe pasi kërkesat amerikane hasën në vesh të shurdhër të kryeministrit Kurti, i cili nuk dëgjoi thirrjen e aleatëve amerikanë për shtyrjen e ekzekutimit të këtij vendimi derisa qytetarët e komunitetit serb të informohen mjaftueshëm me këto ndryshime.

Në reagimet e SHBA-ve, kryeministri Kurti nuk po kufizon vetëm opsionet që “SHBA-të të shërbejnë si avokuese efektive për Kosovës në arenën ndërkombëtare”, por alarmojnë se Kurti ka hyrë në një rrugë që cenon zotimet të cilat i mori Kosova kur fitoi mbështetjen ndërkombëtare për të krijuar shtetin – Republikën e Kosovës.

Kjo vërejtje e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Qeverinë e Kosovës, që drejtohet nga kryeministri Albin Kurti, është tërhequr në dy raste dhe atë brenda pak ditësh.

3 SHKURT 2024 – VËREJTJA E PARË – DOMËTHËNIA E DEKLARATËS SË PAVARËSISË

Për herë të parë, Qeverisë së Kosovës i është kujtuar domëthënia e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, e datës 17 shkurt 2008.

Si rrallëherë, në orën 22:44 të datës 3 shkurt 2024, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka publikuar një deklaratë për media, ku tregon se është i shqetësuar me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës karshi serbëve të Kosovës, por kujton përgjegjësitë e Qeverisë së Kosovës të përcaktuara në Deklaratën e Pavarësisë, pra kur Kosova u shpall shtet.

“Është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës që të promovojë vizionin e parashtruar në themelimin e saj dhe të përcaktuar në Deklaratën e saj të Pavarësisë dhe Kushtetutës: një demokraci plotësisht multietnike që i përgjigjet shqetësimeve të të gjithë qytetarëve të saj”, thuhet në deklaratën me shkrim të ambasadorit Hovenier.

6 SHKURT 2024 – VËREJTJA E DYTË – ZOTIMET NDËRKOMBËTARE…

Në ndërlidhje me deklaratën e parë, Hovenier ka qenë edhe më i qartë në përgjigjen e tij të dhënë më 6 shkurt 2024 në një intervistë televizive në RTV21.

Derisa ka folur për përparimin e Kosovës në trajektore evropiane dhe euroatlantik, Hovenier e ka bërë të qartë se kjo është e ndërlidhur pikërisht me zotimet që Kosova i ka marrë në kohën kur mori mbështetjen për të themeluar shtetin.

“Së pari, më lejoni të them se kam respektin më të lartë për përfaqësuesit e zgjedhur në çdo legjislaturë dhe mirëpres shqetësimet e parlamentarëve anembanë globit, të cilët ndajnë interesin tonë për ta parë Kosovën duke përparuar në trajektoren evropiane dhe euroatlantike. Ky është një qëllim i përbashkët që e ndajmë të gjithë. Por ajo mbështetje për trajektoret e Kosovës, për përparimin e Kosovës drejt Evropës, drejt institucioneve euroatlantike, ka qenë gjithmonë e kushtëzuar dhe mbetet e kushtëzuar me zotimet që Kosova i ka marrë në kohën e shpalljes së pavarësisë, se do të jetë një shtet demokratik shumetnik. Ky mbetet vizioni i përbashkët. Kështu që vetëm do të them se nuk jam i sigurt se balancimi është mënyra e duhur për të menduar për këtë çështje”, tha Hovenier në RTV 21.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në orët e mbrëmjes të datës 6 shkurt 2024, ka bërë një deklaratë me shkrim, me anë të së cilës ka dhënë përgjigjen përfundimtare për çështjen e Rregullores së BQK-së, ku ai tregon se nuk do të tërhiqet dhe se nuk do të shtyhet zbatimi i kësaj rregulloreje. Kurti ka folur për një tranzicion që do të informojë më shumë komunitetin serb për ndryshimet, por jo për shtyrje siç kanë kërkuar SHBA-të dhe BE. / Demokracia.com /

Lexo më shumë:

“Dinari” | Kurti me përgjigje përfundimtare për SHBA e BE: Nuk tërhiqemi dhe nuk shtyhet zbatimi i Rregullores së BQK-së, do t’i informojmë komunitetin serb me ndryshimet

Të ngjashme