Intervista
Vendimi për kryetar, punët e para, investitorët e rinj dhe synimet e klubit – flet Hakif Gashi, president i ri i FC Prishtinës
Demokracia
17:00 | 03 Gusht 2022

Share:

Hakif Gashi është zgjedhur president i ri i klubit pas mbledhjes së sotme të Bordit të FC Prishtinës.

Afaristi nga Prishtina do ta zëvendësojë në këtë post Remzi Ejupin, i cili ishte për 18 vjet ishte në krye të ekipit “bardhekaltër”, përcjell Demokracia.com.

Gashi, i cili ushtron veprimtari në fushën e biznesit ka qenë prej kohësh aksionar i klubit kryeqytetas.

Një ndër biznesmenët më të suksesshëm në Kosovë e ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të klubit prishtinas.

Vendimi për t’u emëruar president i Prishtinës – “Të jem i sinqertë nuk e kam pasur ndërmend e as ëndërr që në këto momente ta marr drejtimin e klubit, por situata e krijuar e ka kërkuar një profil të karakterit tim në drejtimin e skuadrës. Tash e 30 vite kam krijuar vlera në biznes, të cilat do të mundohem që t’i bart edhe në klub por mund të them se ajo që më ka shtyrë më së shumti ta marr këtë pozitë është që ta jap kontributin tim, në aspektin e vlerave morale dhe njerëzore. Jam i përcaktuar për vlera, që më pas sukseset e klubit të dalin në pah. Në asnjë moment nuk dua t’i kritikoj të mëparshmit por është momenti dhe  koha për mundësi dhe ide të reja.

Punët e para me të cilat do të merret presidenti i ri në klub – “Ta bëjmë një organizim të mirëfilltë të klubit. Nuk e di saktësisht gjendjen në klub dhe çështjet teknike, mirëpo di se me vullnet dhe njerëz të duhur do të rregullohen gjërat”.

I hapur për investitorë të rinj – “Ata që kanë së pari qëllime të mira dhe janë të gatshëm që të na bashkangjiten në një rrugë aspak të lehtë, por me synime të mira dhe të qarta, janë të mirëseardhur në klub. Duhet ta duam punën si fillim mu vullnet e pozitivitet që më pas të kemi suksese. Klubi është më shumë se një biznes, është emocion, aty është rinia jonë, e ardhmja jonë”.

Synimet me Prishtinën – “Nëse nuk do të besoja se nuk do të kisha sukses, nuk do të futesha fare në këtë punë. E dua këtë klub dhe dua të jap kontributin tim. Do të mundohemi t’i zgjidhim të gjitha çështjet në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Gashi./Demokracia.com/

Të ngjashme