Lajme
Vendimi i Vuçiqit: Zgjedhjet në Serbi, “sherri” i Kosovës (VIDEO)
Demokracia
20:41 | 01 Nëntor 2023

Share:

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mërkurën paradite ka nënshkruar dekretin për shpërndarjen e përbërjes së tanishme të Kuvendit shtetëror serb, dhe kështu dërgoi shtetin e tij në zgjedhje të jashtëzakonshme që mbahen më 17 dhjetor.

Veç zgjedhjeve parlamentare, në të njëjtën datë, pra më 17 dhjetor, Serbia shkon edhe në zgjedhje për pushtet lokal, transmeton klankosova.tv.

Ky vendim i Vuçiqit, ndodh një javë pasi që liderë të ndryshëm evropianë, më direkt se kurrë më parë, i kërkuan atij dhe vendit që udhëheq, njohjen de-facto të Kosovës.

Një fakt interesant në zhvillimet politike të së mërkurës në Beograd është lajmi se partia pushtet mbajtëse SNS që Vuçiq, deri para disa muajsh e udhëhoqi, bënë koalicion në nivel lokal me ish-subjektin e tij, radikalët e Vojsllav Sheshel, i cili vetë e bëri publik këtë lajm.

Bashkimi i këtyre dy subjekteve politike sipas, Zharko Koraq, ish-zëvendëskryeministër i Serbisë, është një porosi e ”përmasave ndërkombëtare”.

”Kështu, Vuçiq, u dërgon një porosi jo vetëm qytetarëve të Serbisë, por edhe perëndimi që ai po kthehet në atë që ka qenë. Mund të thuhet që ai (Vuçiq) jo që nuk do nënshkruaj çkado qoftë që ka lidhje më Kosovën, por ai me këtë aleancën  parciale me Sheshelin, dërgon porosinë se mund të kthehet prapa në politikën e brendshme që e ka bërë kur ishte në Partinë Radikale të Serbisë”, tha Koraq, në një intervistë ekskluzive për Klan Kosova.

Koraq, konsideron se kryetari i Serbisë, tashmë pas zgjedhjeve po edhe pas tyre, do të jetë nën presione të mëdha  ndërkombëtare.

”Pas asaj që ndodhi në Banjskë, ai është i ekspozuar presionit të madh. Ai, strategjikisht i ka gabuar të gjitha. Në thelb Vuçiq është njeri pa asnjë strategji, pra nuk mendon për më gjatë por është njeri vetëm që të mbaj pushtetin. Vetëm këtu ka sukses, por  në asgjë tjetër”, shtoi Koraq.

Ndryshe vetë Vuçiq, njoftoi se nuk e ka ndërmend të nënshkruaj ndonjë dokument që sipas tij përfshin njohjen De-Facto apo De-Jure të Kosovës, nga ana e Serbisë.

Të ngjashme