Lajme
“Vendimi i Qeverisë që përmes ministrisë të shkarkojë kryetarët e Komunave në veri është veprim prej Don Kishoti”
Demokracia
09:01 | 06 Gusht 2023

Share:

“Është punë e kotë. Është ‘don kishotian’ një veprim i tillë, ose thjesht dikujt i konvenon që të zvarriten punët”, ka thënë në një prononcim për Albanian Post ish-kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës, Mallzum Baraliu, për vendimin e Qeverisë së Kosovës që përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal të nisin procedurat për shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë në komunat Veriore.

Baraliu tregon për AP se një procedurë e tillë “nuk është punë as e Ministrisë, e as e Qeverisë që të merret me diçka që është e rregulluar me Kushtetutë dhe që është e rregulluar me ligjin për zgjedhjet lokale”.

“Madje, është e thënë mirë që zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe ligji për zgjedhjet lokale po ashtu, në disa komuna ose në të gjithë vendin mbahen kur thjesht krijohen kushtet për një gjë të tillë. Në këtë rast janë mbajtur zgjedhjet, por nuk ka pasur dalje të mjaftueshme, tani duhet që ata zotërinjtë atje të japin dorëheqje, kjo nëse shkohet me variantin e parë”, shpjegon Baraliu.

Përveç kësaj forme, ai tregon se ekziston edhe varianti i dytë, i cili është “20 për qindëshi i trupit zgjedhor që duhet në formë peticionale, në një lloj referendumi, e pastaj me proceduara të caktuara ligjore të zbatohet dhe kështu të hapen rrugët për zgjedhje”.

Pas kësaj, pohon profesori universitar, “Presidentja e vendit duhet që minimumi brenda 30 ditëve, e maksimumi 45 ditëve, t’i shpallë zgjedhjet”.

“Kjo është rruga”, insiston ai, duke shtuar se “nuk ka të bëjë aty qeveria e as ministria”.

“Qeveria, e as Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal si pjesë e saj nuk ka pse ndërhyn dhe të bëjnë rregullore të tjera sepse nuk është punë e tyre. Vetëm dy mënyra, pra dy variante janë”.

Pas vendimit të MAPL-së, të cilët kanë formuar një Grup Punues që do të hartojë një Udhëzim Administrativ për caktimin e procedurave që përmes një iniciative do të largohen kryetarët e katër komunave në Veri të Kosovës, Albanian Post kuptoi se kjo rrugë u ndoq pasi nga KQZ u refuzua krijimi i një procedure të tillë meqë është konstatuar se nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore.

Nga KQZ i kanë thënë qeverisë se duhet ligj i veçantë për referendumin që të bëhet e munduar ndjekja e kësaj procedure.

Ish-kryetari i KQZ-së shpjegon se Kosova e ka me Kushtetutë të paraparë referendumin, por potencon se “fatkeqësisht, partitë politike, kjo klasë politike prej fillimit deri më tani – bashkësia ndërkombëtare bashkë më të – nuk ka dashur që t’ia japin këtë mundësi qytetarëve të nxjerrin ligj për referendumin, pasi Kushtetuta e lejon referendumin”.

Por, duhet që “me ligj të rregullohet”, shtoi ai. Edhe pse, në situatën aktuale “nuk kemi të bëjmë me referendum”.

“Kjo mënyra e zgjedhjeve lokale përmes 20 për qindëshit nuk është referendum i mirëfilltë, është në formë peticionale, në formë qytetare, pra një formë tjetër, fillimisht përmes 20 për qindëshit të trupit elektoral dhe mandej mbi 50 për qind i deklarimit të tyre e kështu me radhë”.

Procesin eventual të zgjedhjeve të reja në Veri të Kosovës, e kishte shpjeguar në një intervistë për Albanian Post edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Hasani tregonte se “zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga Presidenti/ja i Kosovës, jo më vonë se dhjetë (10) ditë pas shpërbërjes përkatësisht largimit të kryetarit”.

“Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe jo më vonë se dyzetepesë (45) ditë pas shpërbërjes, përkatësisht largimit të kryetarit të komunës. Zgjedhjet e parakohshme qeverisen përmes ligjeve të njëjta dhe rregullat e KQZ-së sikurse edhe zgjedhjet tjera, përveç se KQZ-ja mund të ndryshojë afatet kohore në rast se kjo nevojitet për shkak të rrethanave”.

Ai thoshte se pas situatës së krijuar në Veri, kryetarët e katër komunave Veriore, përkatësisht Erden Atiq në Mitrovicë të Veriut, Izmir Zeqiri në Zubin Potok, Ilir Peci në Zveçan dhe Lulzim Hetemi në Leposaviq duhet të jepnin dorëheqje, në rast refuzimi shpjegonte se ka edhe një formë tjetër për t’i larguar.

Ekziston edhe mundësia e shkarkimit të tyre nga ana e qeverisë, ku ata fillimisht duhet të suspendohen me një akt qeveritar dhe, më pas, ai akt për suspendim duhet të konfirmohet nga ana e Gjykatës Kushtetuese”.

“Nëse Gjykata Kushtetuese e konfirmon vendimin për suspendim, atëherë qeveria mund të shkarkojë kryetarin përkatës të komunës që paraprakisht ka pasur akt mbi suspendimin”.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila udhëhiqet nga Elbert Krasniqi, të martën ka marrë vendim që të nisen procedurat për shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë në komunat Veriore.

Sipas vendimit të MAPL-it, është hartuar një Grup Punues që do të hartojë një Udhëzim Administrativ për caktimin e procedurave që përmes një iniciative do të largohen kryetarët e katër komunave në Veri të Kosovës, të zgjedhur më 23 prill.

Sipas vendimit të MAPL-it, ky Grup Punues është përgjegjës për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve.

Vendimi i MAPL-it

Afati i Grupit Punues për ta hartuar Udhëzimin Administrativ dhe për ta proceduar tek zyra e Sekretarit të përgjithshëm të MAPL-së është deri më datën 1 shtator.

Ky vendimi i nxjerrë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal vjen pasi që Kosova pranoi një pjesë të planit të de-eskalimit të situatës në Veri më 10 korrik, pas tensioneve të krijuara atje që nga 26 maji.

Kjo kishte ndodhur pas takimit në Bratislavë të Sllovakisë në mes të kryenegociatorit të Kosovës për dialog me Serbinë, Bensik Bislimi, me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak.

Në marrëveshjen e publikuar me 11 korrik nga Qeveria e Kosovës, bëhej me dije se Prishtina ishte pajtuar për zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës policore për 25 për qind në afërsi të objekteve komunale në komunat Veriore, përkatësisht në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Pos kësaj, aty ishte paraparë që të mbahen zgjedhje të reja në ato katër komuna, dhe kjo të bëhej menjëherë pas stinës së verës.

Pranimi i këtij plani nga Kosova – i prezantuar tash e një kohë nga BE-ja dhe i përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – kishte ardhur vetëm pasi që ndaj Kosovës ishin vendosur masa ndëshkuese nga BE-ja dhe ShBA-ja, kjo si pasojë e refuzimit të qeverisë për ta shtensionuar situatën në Veri, pasi që të njëjtit e konsideronin Prishtinën përgjegjëse për të gjitha tensionet e krijuara atje.

Ndryshe, situata në Veri të Kosovës ishte tensionuar që nga 26 maji, kur qeveria mori vendim që policia t’i instalojë në zyrat e tyre kryetarët e komunave Veriore – Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çka shkaktoi reagim të serbëve lokalë të cilët janë shumicë në atë pjesë të territorit të Kosovës.

Situatë më e tensionuar ishte të hënën e 29 majit, kur protestuesit e dhunshëm serbë sulmuan ushtarët e KFOR-it, duke lënë të lënduar dhjetëra prej tyre, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Situata agravoi edhe më tej kur me 14 qershor, xhandarmëria serbe kidnapoi tre policë të Kosovës në pikën kufitare, të cilët u liruan pas presionit të madh të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare.

Të ngjashme