Lajme
Vendimi i Kushtetueses për Manastirin e Deçanit, Rohde: Mirëpresim thirrjen e PE-së për zbatim
Demokracia
15:38 | 06 Korrik 2022

Share:

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka mirëpritur miratimin e rezolutës për Kosovën nga Parlamenti Europian dhe fjalimin e Raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, e cila ka hartuar raportin për Kosovën.

“Mirëpresim raportin e Parlamentit Europian dhe këto fjalë të qarta nga Viola von Cramon për liberalizimin e vizave, reformat, sundimin e ligjit, implementimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, dialogun dhe rrugën e Kosovës drejt integrimit Europian”, ka shkruar ambasadori gjerman.

Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën ku thuhet se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohjen të ndërsjellë”.

Kjo është hera e parë që në një dokument të institucioneve evropiane përmendet njohja reciproke. Pesë shtete të BE-së nuk e njohin Kosovën, por PE-ja është institucioni i vetëm që e trajton Kosovën si shtet.

“Raportet me Serbinë duhet të normalizohen përmes marrëveshjes e cila duhet të bazohet në njohjen e ndërsjellë”, tha deputetja gjermane, Viola von Cramon

Në raportin për Kosovën sërish bëhet thirrje për liberalizimin e vizave.

Megjithatë, rezolutat e miratuara nuk janë dokumente obliguese për shtetet e BE-së.

Në seancën e PE-së u miratuan raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën. Në tri raportet u bë thirrje për mbështetje të perspektivës evropiane të këtyre vendeve.

Të ngjashme