Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina reagoi pasditen e sotme në lidhje me vendimin e Gjykatës së Tiranës e cila pezulloi procesin për kërkesën e Partisë Demokratike për regjistrimin e statutit të miratuar nga Kuvendi Kombëtar i datës 2 shtator.
Sipas saj vendimi i sotëm, provon në fakt që Basha është kryetar i PD-së.
“Sot në Gjykatën e Tiranë u zhvillua seanca e radhës për shqyrtimin e kërkesës së Partisë Demokratike për regjistrimin e statutit të miratuar nga Kuvendi Kombëtar i datës 2 Shtator. Vendimi i sotëm i gjykatës provon 2 gjëra: Së pari që Lulzim Basha është kryetar i Partisë Demokratike dhe; së dyti që gjyqtari refuzoi të vlerësonte nëse fabula e Këshillit Kombëtar online është ndërtuar mbi akte të falsifikuara. Ende pa mbaruar procesi e pa folur gjykata është shpërndarë një deklaratë e parapërgatitur me qëllim deformimin e të vërtetës”.
Sipas saj, edhe pse gjyqtari nuk ja nënshtroi vlerësimit Statutin e datës 2 shtator, deklaruesit pretendojnë se ai është rrëzuar.
“Deklarata të tilla të hartuara nga grupime që i kanë shpallur luftë SPAK, si gjithçka tjetër, janë thjesht mashtrime. Çështja nuk ka lidhje fare me kryetarin e Partisë Demokratike as me funksionimin e PD-së. Ky gjykim është një procedurë normale e regjistrimit të një statute, që në fakt në funksionimin e PD-së nuk ka asnjë rol pengues. Aleanca e kullave po bën gjithçka për të zvarritur e marrë peng një proces që nuk e ndal dot. Ky gjyq, në fakt, i nxori sërish zbuluar dhe provoi se ata janë bashkë, dhe këtë pseudo aksion e kanë të koordinuar së bashku për t’i hedhur hi syve shqiptarëve dhe për t’i bërë presion SPAK-ut”.
Më herët, Gjyqtari Niko Rapi, ka konstatuar se pa u zgjidhur konflikti që është në Gjykatën e Lartë mbi Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit, nuk mund të zhvillohet dhe të konsiderohet i vlefshëm asnjë Kuvend Kombëtar i mëpasshëm apo Statut i ndryshuar.
“E prisnim vendimin e sotëm. Do të kishim preferuar që çështja të gjykohej në themel por preferuan të pezullojnë gjykimin. Nuk kemi shqetësim për pezullimin prandaj pranuam kërkesën. Organet e PD-së vijon të jenë në funksion dhe PD vijon të funksionojë me të njëjtat ritme”
Ai theksoi se “ne jemi konfident që dokumentacioni mbi të cilin është prodhuar statute i 2 shtatorit 2023 është i plotë”.
“Kishim të gjithë interesin e ligjshëm që ky dokumentacion ti nënshtrohej gjykatës. Gjykata të merrte një vendim lidhur me ekzistencën dhe ligjshmërinë. Bëmë të gjitha hapat ligjore që ky dokumentacion ti nënshtrohej gjykimit”.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i Bashës Indrit Sefa tha se vendimi i sotëm nuk reflekton dhe nuk krijon asnjë problem në organizim të brendshëm në PD.
Partia do të funksionojë në bazë të statutit të 2 shtatorit. Regjistrimi në gjykatë është cështje formale. Gjyqi nuk ka lidhje me kryetarin”.
Nga pala tjetër, përfaqësuesi i ankimimit të bërë nga Gazment Bardhit, Marash Logu, ka komentuar vendimin e gjykatës për pezullimin e çështjes së PD.
Ai tha para gazetarëve se “ëndrra e Lulzim Bashës për t’u bërë kryetar i PD, kundër vullnetit të demokratëve, do vazhdojë të qëndrojë e mbyllur në sirtarin e Lindita Nikollës”.
Kujtojmë se në seancën e fundit përfaqësuesi i kryetarit Lulzim Basha, Indrit Sefa kërkoi që t’i vihen në dispozicion dokumentacioni për zhvillimin e mbledhjes online të Këshillit Kombëtar nga ana e Gazment Bardhit, por kjo kërkesë është rrëzuar me argumentin se nuk është procesi në fjalë për të sjell këto dokumente.
Sipas vlerësimit të gjykatës, në dosje ka dokumentacione të mjaftueshëm dhe me këtë arsyetim u rrëzua pala e Bashës. Nisur nga kjo, Sefa tha se do të kërkojnë përjashtimin e gjyqtarit Niko Rrapi nga procesi gjyqësor.
Në një prononcim për mediat, Sefa tha se gjyqtari ka mbajtur anë dhe se PD kërkon që të shqyrtojë dokumentet që vërtetojnë mbajtjen e mbledhjes online të Këshillit, të cilën e quajti thjesht një imagjinatë të Bardhit.
“Kemi kërkuar dokumentacion në lidhje me zhvillimin e Këshillit Kombëtar imagjinar dhe online. Duam dokumenatcionin e paraqitur dhe të presupozuar që ekziston, duam që palët që janë në proces të vërtetojnë që ky Këshill Kombëtar imagjinar është zhvilluar apo jo. Gjykata vendosi që këtë dokumentacionin mos ta kërkojë, në kërkuam përjashtimin e gjyqtarit të çështjes për një anshmëri. Do paraqesim edhe kërkesën për përjashtim dhe do shohim në ditët në vijim se kujt gjykate do i drejtohemi. Absurde të vish në një proces gjyqësor dhe të mos paraqitet dokumentacioni”.
Por nga ana tjetër – ajo kundërshtare, kjo shihet si një truk për të zvarritur procesin ligjor.
Përfaqësuesi ligjor i Rithemelimit dhe kreut të grupit Gazment Bardhi, Marash Logu tha se “ky është vazhdim i lojës së turpshme të Bashës për ta mbajtur pezull dhe zvarritur statutin e PD”.
“Është e katërta herë që shtyhet, që është skandaloze. Ne si përfaqësues të Berishës kemi kërkuar pezullimin e këtij gjykimi, për sa kohë që nuk është zgjidh në themel, nuk mund të regjistrohen kërkesat e Bashës”, u shpreh ai.