Një vendim i Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit serb që u pa si një përpjekje për të krijuar një realitet të ri në terren që do të kufizojë funksionimin e institucioneve të financuara nga Republika e Serbisë, në fakt po del të jetë një hap i natyrshëm para themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe krijimit të mundësive për hapjen e një institucioni bankar të shtetit serb në Kosovë.
Për këtë ka folur këtë të diel edhe Dragisha Mijaçiç nga Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial, i cili shpalosi të dhëna të serbëve që aktualisht përfitojnë nga financimi i shteti serb në Kosovë.
Janë 87 mijë përfitues në total, qytetarë që marrin paga, pensione, përfitues të ndihmës sociale dhe familje bujqësore nga Serbia në Kosovë, ka treguar Mijaçiç.
Shumica e mjeteve të lartpërmendura janë transferuar nga e ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, buxheti i së cilës për vitin 2024 është 104.4 milionë euro.
Ndërsa për investime kapitale janë mjete shtesë, thotë ai, duke përmendur deklaratën e presidentit serb Aleksandër Vuçiç nga viti 2022, në të cilën thotë se projektet zhvillimore dhe investimet kapitale të financuara nga Serbia në zonat me shumicë serbe në Kosovë arrijnë në 800 milionë euro.
“Një pjesë e konsiderueshme e këtyre fondeve investuese përfundojnë në kompanitë shqiptare të ndërtimit, industritë e shërbimeve, dyqanet, shitjet me pakicë, si dhe në buxhetin e Kosovës, gjë që kontribuon gjithashtu në bashkëpunimin ndërkomunitar dhe kohezionin social ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë”:, deklaroi Mijaçiç.
Prandaj, Mijaçiç beson se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit serb është një përpjekje për të krijuar një realitet të ri në terren që do të “kufizonte funksionimin e institucioneve të financuara nga Republika e Serbisë, para krijimit të Asociacionit dhe financimi nga Serbia në Kosovë të bëhet transparent”.
Çfarë po ndodh?
Mediat e afërta me pushtetin në Serbi kanë bërë me dije se kanë informacione jo zyrtare që Beogradi Zyrtar po planifikon hapjen e një dege të “Bankës së Kursimeve Postare” në Kosovë, një nga bankat më të mëdha në Serbi
Aktualisht kjo bankë ka filiale në pjesët ku banojnë serbët dhe shfrytëzohet për tërheqje të parave, por tani po flitet për krijimin e një Banke të Ndërmjetme në Kosovë, që do të ofronte edhe shërbime të tjera dhe në fakt do të vlente diçka si bankë qendrore e serbëve të Kosovës.
Për potencialitetin e një lëvizje të tillë ka folur edhe Lekë Musa, ish-kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Ai në një intervistë tha se “Banka Qendrore e Kosovës mund të licencojë një bankë të re që do të monitoronte transaksionet e parave nga Serbia”.
Me shumë mundësi, nëse ndodhë diçka e tillë, Qeveria e Kosovës do ta prezantonte këtë si “mënyrë do të parandalonte evazionin fiskal dhe transferet e parave që janë në kundërshtim me ligjet aktuale”.
Në anën tjetër, Serbia e ka kundërshtuar vendimin e BQK-së për pagesa vetëm në euro, duke e reklamuar këtë vendim si të dëmshëm për serbët e Kosovës të cilët kanë të hyra nga Serbia në dinarë.
Edhe Banka Popullore e Serbisë, ekuivalentja e BQK-së, e ka kundërshtuar vendimin, duke thënë se përbën pengesë në “transportin dhe shpërndarjen e dinarëve në Kosovë”.
Vendimin e BQK-së shkurtimisht e ka komentuar edhe Bashkimi Evropian përmes zëdhënësit Peter Stano.
Ai, me një ngjyrim neutral, ka refuzuar të flas shumë, duke thënë se ende po e analizojnë vendimin.
“Ne jemi ende duke e analizuar dhe duke kërkuar sqarime për këtë vendim, motivet dhe implikimet që ai mund t’i ketë… Kosova dhe Serbia duhet të shmangin veprimet e pakoordinuara që nuk shkojnë në frymën e normalizimit të raporteve dhe që mund të kenë ndikim negativ në situatën në terren”, u tha Stano gazetarëve në konferencë.
Shkurtazi e kishte komentuar vendimin edhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Ai pati deklaruar se “shpreson që të gjendet një zgjidhje, në mënyrë që të mos ketë pasoja negative”.
Kjo zgjidhje, mund të jetë pikërisht formimi i kësaj banke të ndërmjetme, e cila më vonë do të vlente si banka qendrore e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Siç dihet, sipas draft-Statutit të Asociacionit, të propozuar nga BE dhe pranuar nga Kosova, këtij mekanizimi i mundësohet kanal direkt i financimit nga Serbia, por kjo nuk është e vetmja.
Draft-statuti zbuloi se Serbia do të mund të regjistroi institucione shtetërore të arsimit dhe shëndetësisë në Kosovë dhe ato t’ia lë në menaxhim Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Sa për ta bërë të pranueshme këtë pjesë për Kosovën, aty thuhet se këto institucione në Kosovë do të regjistrohen si kompani private.
Por, nëse analizohet statuti, atëherë prodhohet një fizkulturë e çuditshme ku Serbia hap institucione shtetërore në Kosovë, i regjistron ato si private dhe më pas angazhon Asociacionin, që është institucion shtetëror i Kosovës, të menaxhojë me institucionet “private” të shtetit të Serbisë në Kosovë.
Kompleksiteti i këtij operacioni juridiko-politik është dizajnuar që të dyja shtetet të kenë mundësinë e reklamimit të këtyre institucioneve sipas preferencave të veta.
Derisa Serbia mund të thotë se në Kosovë funksionon sistemi arsimor i Serbisë dhe ai shëndetësor, njëjtë si në gjithë Serbinë, Kosova mund të thotë se ka pranuar këto institucione vetëm si agjenci private të një shteti tjetër.
Por, cili është ai shtet që lejon që agjencitë private të shtetit tjetër t’ia menaxhojë një institucion i vet publik?
Nuk ka raste të ngjashëm askund të Evropë, ku territore të caktuara kanë nuanca të caktuara të territoreve autonome.
Çfarë saktësisht do të ndodhë, do të kuptohet ditët në vijim.
Nëse formohet kjo degë e kësaj banke serbe me ndonjë status të veçantë si bankë e ndërmjetme qendrore, atëherë do të ishte institucioni shtetëror i radhës i Serbisë që fillon operimin në Kosovë, siç ka filluar Elektrosver, kompania shtetërore serbe e energjisë elektrike.