Qeveria e Kosovës ka larguar orën policore të vendosur në komunat që janë në zonën e kuqe, duke përfshirë këtu edhe në Prishtinë. Me këtë rast, autobusët e “Trafikut Urban” do të vazhdojnë qarkullimin nga ora 06:00 dri në 22:00.
Kjo është konfirmuar për Demokracia.com nga Kryeshefi Ekzekutiv i “Trafikut Urban” të Prishtinës, Lulzim Rexhepaj, i cili tha se orari është aprovuar nga Komuna e Prishtinës.
“Me largimin e kufizimit te levizjes nga Qeveria e Kosoves, autobusët e Trafikut Urban tani janë duke qarkulluar sipas orarit normal te qarkullimit nga ora 06:00 deri 22:00, orar ky qe eshte i aprovuar nga Komuna e Prishtines.” , tha Rexhepaj.
Lidhur me masat që duhet të respektohen gjatë udhëtimit, Rexhepaj bëri të ditur se në autobus lejohen maksimumi 25 udhëtarë.
“Max. 25 udhëtarë për një autobus, ashtu siç i kemi njoftuar nën vazhdimësi qytetarët dhe kemi kërkuar mirëkuptim prej tyre.”, tha ai për Demokracia.com.
Rexhepaj në fund ka thënë se NPK “Trafiku Urban” po vazhdon të respektojë masat anti-Covid të cilat janë në fuqi sipas vendimeve të Qeverisë së Kosovës.
“Jemi shembull në respektim te masave kunder pandemië te vendosura nga institucionet e vendit dhe jo vetëm për këtë por edhe në aspekte te tjera NPK “Trafiku Urban” është nje tregim i sukseshem, andaj masat që janë në fuqi nga indtitucionet pergjegjese do te respektohen edhe me tutje.”, deklaroi ai.
Kujtojmë se përgjatë pandemisë orari i “Trafikut Urban” ka ndryshuar në varësi të masave të vendosura nga Qeveria e vendit.
Ndryshe, “Trafiku Urban” funksionon në total me 51 autobusë dhe në shtatë linja. Ditë më parë është bërë e ditur se në negocim me BERZH-in, do të blihen rreth tridhjetë (30) autobus te rinj./Demokracia.com/