Lajme
Vendimet e kundërligjshme të Komunës së Prishtinës, gjykatat ia “gëlltitën” mbi 1 milion euro për 11 muaj
Demokracia
14:41 | 15 Dhjetor 2023

Share:

Edhe vetë Komuna e Prishtinës po nxjerrë vendime të kundërligjshme. Si shkak i vendimeve të dëmshme të tyre, komuna po i lë nëpër gjykata qindra mijëra euro. Kryeqyteti është i përfshirë në mbi dhjetëmijë raste nëpër gjykata, shkruan Demokracia.com.

Infrastruktura rrugore është sektori që më së shumti po ia gëlltitë paratë Komunës së Prishtinës. Në komunë thonë se nuk kanë shifra sa ka qenë numri i padive këtë vit, por ajo çfarë dihet është se në 2023 për vendimet gjyqësore janë paguar mbi 1 milionë euro.

Megjithatë, zyrtarët komunalë kanë thënë se numri i rasteve është mbi dhjetëmijë lëndë, të cilat me gjasë janë të vjetra edhe deri para dhjetë vjetësh, të cilat akoma nuk kanë marrë epilog nga gjykata.

“Të gjitha vendimet gjyqësore në të cilat është e përfshirë Komuna e Prishtinës mund të gjenden në faqet zyrtare të gjykatave, përndryshe Komuna e Prishtinës nuk mund t’i sigurojë kërkuesit të gjitha vendimet ku është e përfshirë, sepse numri i vendimeve gjyqësore në të cilat është e përfshirë komuna është shumë i madh, i cili kalon shifrat mbi dhjetë mijë. Mirëpo, nëse ka ndonjë kërkesë për ndonjë lëndë specifike, atëherë ne ju përgjigjemi në afat ligjor dhe duke u bazuar në Ligjin nr. 06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike. Po ashtu, edhe informata lidhur me pagesën e këtyre vendimeve është e pamundur, pa e ditur për cilin rast po kërkohet informatë financiare”, ka thënë Arlinda Kastrati nga Zyra për Informim më Publikun e Komunës së Prishtinës për Demokracia.com.

Demokracia.com ka arritur të nxjerrë nga raportet komunale vetëm shumën e mjeteve që janë paguar nga janari deri në nëntor në emër të pagesave për vendimet gjyqësore.

Shifra është fiks 1,039,742 euro, e cila në dhjetor edhe mund të dyfishohet, duke marrë parasysh numrin e madh të lëndëve në gjykata.

Demokracia.com ka gjetur se vetëm në nëntor janë paguar 739, 031 euro.

Pos infrastrukturës, para për vendbanime gjyqësore po ‘djegën’ edhe nga Zyra e Kryetarit të Komunës, në emër të së cilës po paguhet për vendimet gjyqësore. P.sh, në tetor, kjo zyre ka paguar 3,472.16 euro.

Raste të shumta, por që nuk janë shuma të mëdha, komuna po humbet edhe nga drejtoritë e tjera. /Demokracia.com/

Të ngjashme