Dhuna ndaj grave dhe vajzave është një prej fenomeneve më të dukshme në vendin tonë, që fatkeqësisht, po vazhdon ende në shifra të larta. Disa nga viktimat e dhunës në familje kanë arritur që të gjejnë mbështetje në strehimoret e ndryshme, të cilat ua kanë mundësuar të largohen nga lidhjet abuzive.
Në një intervistë për Demokracia.com, drejtoresha e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, Zana Asllani-Hamiti ka zbuluar detaje rreth trajtimit të viktimave në këtë qendrë, sfidat me të cilat përballen, si dhe për dhunën kundër grave në përgjithësi dhe pasojat që ka në jetën e viktimave.
Demokracia.com: Kur është themeluar Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Kosovë dhe cili është misioni i saj?
Asllani-Hamiti: Qendra është themeluar në vitin 1993, është regjistruar në vitin 2000, dhe është licencuar para tri vitesh. E ka po të njëjtin mision gjatë të gjitha këtyre viteve – për strehimin e grave, vajzave, fëmijëve që janë viktima të dhunës në familje, të regjionit të Prishtinës që nënkupton edhe të gjashtë komunave, por edhe nga komunat e tjera në rast të rrezikshmërisë.
Demokracia.com: Kush e përbën stafin e kësaj qendre dhe a është i mjaftueshëm?
Asllani-Hamiti: Po është i mjaftueshëm, kemi koordinatoren, dy punëtore sociale, një infermiere, një gjinekologe, një psikologe, dhe një financier.
Demokracia.com: A keni vërejtur ndonjë ndryshim të kësaj dukurie përgjatë viteve, përmes rasteve që kanë gjetur strehim në këtë qendër?
Asllani-Hamiti: Dallim me kohët e më parme është se tani kemi kryesisht nivel më të lartë arsimor dhe familje më të përparuara që pavarësisht të gjitha situatave, në 90 për qind të rasteve, ju gjenden afër vajzave dhe kjo ka bërë që shumë më shpejt t’u bëhet zgjidhja e problemeve dhe viktimat të kthehen në familjet e tyre.
Demokracia.com: Cila është koha më e gjatë e qëndrimit të një gruaje që është viktimë e dhunës në qendrën e strehimit?
Asllani-Hamiti: Koha më e gjatë e qëndrimit të një viktime dhune ishte deri në 2 vite. Edhe pse rregullorja jonë parasheh strehim për 6 muaj, ka raste kur nuk u bëhet një zgjidhje rasteve dhe këto mund të qëndrojnë në qendër edhe më gjatë. Më e mira është se për këtë periudhë na është ofruar është përkrahja e Ambasadës Britanike e cila na mundësoi mbulimin e qirave për tre muaj për disa nga viktimat.
Demokracia.com: Përveç grave dhe vajzave nga Kosova që gjejnë strehim te qendra e juaj, a ka pasur ndonjë rast të shtetaseve të huaja?
Asllani-Hamiti: Po, edhe në rastet kur dhuna nuk ndodh në kryeqytet prapë shtetaset e huaja kryesisht trajtohen këtu pasi që edhe ambasadat e vendeve të huaja ndodhen në Prishtinë, dhe është më e lehtë vënia e komunikimit të tyre me ambasadat dhe mundësimi për t’u kthyer në vendet e tyre. Mirëpo, edhe rastet e dhunës ndaj grave kosovare mund të barten në qendra të tjera, në komuna të tjera në rast të rrezikut që mund t’i kanoset një viktime.
Demokracia.com: Sa raste të viktimave të dhunës ka pasur në muajt e parë të këtij viti, si dhe gjatë dy viteve paraprake?
Asllani-Hamiti: Nuk mund të themi se nëse është raportuar më pak dhunë ka qenë edhe më pak e theksuar dhuna ndaj gruas në Kosovë. Vetëm në janar të këtij viti kemi pasur 12 raste të viktimave që janë strehuar në qendrën tonë e që nuk ishte numër i vogël fare ky. Gjatë muajit shkurt u strehuan gjashtë viktima. Në vitin 2020 kemi pasur 74 raste. Kjo ndoshta pasi objekti ishte në renovim dhe kjo na pamundësoi për pak kohë t’u përgjigjemi kërkesave. Por edhe karintinimi dhe pandemia ndikuan që të kemi një numër më të vogël të të strehuarve në këtë periudhë. Në vitin 2019 kemi strehuar 114 raste të viktimave të dhunës. Ndoshta kjo rritje e numrit ka qenë edhe si pasojë e rritjes së raportimit të rasteve e që mund të themi se ndoshta faktor ndikues është vetëdijesimi më i lartë.
Demokracia.com: Po fëmijët, si ambientohen në këtë qendër?
Asllani-Hamiti: Fëmijët ambientohen shumë mirë në qendër. Kanë aktivitete që i mbajnë aktivë gjatë gjithë kohës. Gjithashtu kemi marrëveshje me drejtoreshën e shkollës fillore “Hasan Prishtina” dhe Drejtorinë e Arsimit në komunën e Prishtinës që mos t’u ndërpritet shkollimi fëmijëve edhe pse të rralla janë rastet e tilla, që i dërgojmë në shkollë, sepse rrezikshmëria është e lartë nga dhunuesit e tyre dhe të nënave të tyre.
Demokracia.com: Si është gjendja psikike e viktimave të dhunës që janë të strehuara?
Asllani-Hamiti: Kemi pasur një rast të tillë, në qendrën tonë, kur viktima është munduar të bëjë vetëvrasje me xham e pastaj me detergjent. Mirëpo, fatmirësisht, është shpëtuar dhe tani është mirë. Nuk janë të rralla rastet e rënda psikike nëpër të cilat kalon një grua pas dhunës që i është bërë dhe që për pasojë e shtynë edhe në veprime të tilla.
Demokracia.com: Cila është mosha e grave dhe vajzave që gjejnë strehim në qendrën tuaj?
Asllani-Hamiti: Mosha më e madhe e pranuar në strehimore është ajo e një 84-vjeçareje që ishte viktimë e dhunës nga fëmijët e bashkëshortit. Rast tjetër është ai i një 72-vjeçareje që i kemi mundësuar banimin me qira për tre muaj me ndihmë nga Ambasada Britanike. Përveç këtyre, kemi edhe raste tjera të moshave të ndryshme.
Demokracia.com: Sa keni pasur mbështetje financiare prej Ministrisë së Mirëqenies dhe Punës Sociale dhe donacioneve nga jashtë?
Asllani-Hamiti: Ne si OJQ kemi mbështetje nga donacionet, mirëpo mund të theksoj se për dy vitet e fundit kemi pasur mbështetje më të madhe financiare nga Ministria e Mirëqenies dhe Punës Sociale, prej së cilës edhe jemi licencuar. Përveç Ministrisë, që mund të themi se momentalisht kemi mbështetje afro 70 për qind, edhe komuna e Prishtinës na ka mbështetur me objektin, renovimin dhe gjëra tjera. Por kemi edhe projekte me ambasada të huaja që na ndihmojnë.
Demokracia.com: Ku tjetër mund të gjejnë mbështetje gratë dhe vajzat që janë viktima të dhunës?
Asllani-Hamiti: Kemi bashkëpunim të mirë me zyrën për ndihmë juridike falas. Shumë raste i drejtojmë atje për ndihmë dhe gjejnë përkrahje. Me policinë kemi raporte të ngushta, i u raportojmë edhe në raste të kthimit të viktimave në shtëpitë e tyre, duke ju dhënë adresën e saktë në mënyrë që të kenë një mbikëqyrje të herë pas hershme për viktimat e dhunës dhe nëse gjendja e tyre është përmirësuar me kohën.
Demokracia.com: A keni kontakt me viktimat që më pas dalin nga qendra?
Asllani-Hamiti: Ne kemi në vazhdimësi kontakte me disa prej tyre që dalin nga qendra dhe sigurohemi që janë në gjendje të mirë dhe shume herë i ndihmojmë me ndihma ushqimore, veshmbathje, në mënyrë që të mos ndihen se janë të vetme dhe nuk kanë ndihmë nga askush.
Demokracia.com: A ka pasur raste të grave shtatzëna që kanë ardhur në strehimore?
Asllani-Hamiti: Po, kemi pasur dy raste. Njëra nga to ka pasur kujdesin e vazhdueshëm mjekësor e deri në lindje. Më pas e ka lënë për adaptim fëmijën dhe vetë është kthyer në strehimore e pastaj në familjen e saj biologjike. Rasti tjetër është ai i një gruaje që pas lindjes është kthyer me foshnjën në strehimore, pasi bashkëshorti ka ushtruar dhunë edhe ndaj fëmijës. Nga gjendja e rëndë psikike që ka përjetuar nga dhuna dhe duke mos pasur gatishmëri, ne e kemi marrë nën përkujdesje edhe foshnjën.
Demokracia.com: Sa është numri i viktimave që qendra juaj mund ta përballojë?
Asllani-Hamiti: Qendra jonë ka kapacitet për strehimin e 19 viktimave të dhunës, mirëpo ka ndodhur që kemi qenë në gjendje që të bëjmë hapësirën e shfrytëzueshme edhe për 25 viktima. Në muajin gusht kemi strehuar këtë shifër dhe ia kemi dalë që t’i përmbushim të gjitha kushtet dhe nevojat. Ndërsa sa i përket mbikëqyrjes, ne e kemi stafin dhe kujdestarinë 24 orëshe që është në gjendje t’u përgjigjet nevojave të secilës prej tyre. Gjithashtu kemi marrëveshje edhe me Qendrat e Mjekësisë Familjare që janë të gatshme të vijnë të na ndihmojnë në çdo rast.
Demokracia.com: Cilat janë aktivitetet që mund të bëhen në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve?
Asllani-Hamiti: Kemi dy makina rrobaqepësie, kurse të ndryshme, projekte të shumta ashtu që secila nga viktimat e strehuara mund të aftësohet për një profesion dhe kur të dalë nga qendra të jetë e gatshme të punojnë nëpër kompani të ndryshme.
Mund ta përmend rastin e njërës nga viktimat e cila nga shfrytëzimi i një projekti këtu për gjuhë gjermane gjatë kohës së pandemisë ka arritur ta mësojë gjuhën gjermane dhe më pas ka vazhduar të punojë në një kompani për call center. Rasti tjetër është ai i projektit të Artpolis-it (Qendra për Art dhe Komunitet) ku me qepjen e çantave nga viktimat e strehimores kanë fituar një shumë simbolike nga shitja e tyre, dhe kjo ka qenë një nxitje për punë dhe aktivitet brenda qendrës.
Çfarë konsideroni se i nevojitet qendrës suaj, dhe a pritet të arrihet një siguri dhe e ardhme më e mirë për viktimat e dhunës brenda qendrës?
Asllani-Hamiti: Ajo çka ne e shohim të nevojshme për qendrën tonë është sistemi që i mundëson mbrojtësit të viktimës të vije në strehimore të intervistojmë viktimën pa qenë e nevojshme që ne ta dërgojmë viktimën nëpër institucione e që është më e pa përshtatshme për gjendjen e viktimës. Më pas do të ishte një alternativë e mirë një kontroll psikiatrik i viktimës para se të vijë në qendër për strehim, sepse gjendja e viktimës shpeshherë mund të jetë e rëndë dhe përveç kësaj mund të rrezikohen edhe viktimat e tjera në qendër. Gjithashtu është e nevojshme që të rifunksionalizojmë marrëveshjen me Qendrën e Aftësimit Profesional për viktimat që qëndrojnë mbi një vjet në qendër dhe brenda kësaj kohe mund të aftësohen plotësisht për një kategori të veçantë profesionale.