Lajme
“Vëllezërit e Italisë” në krye të shtetit, frikë se Roma mund t’a bllokojë Kosovës heqjen e vizave
Demokracia
12:12 | 26 Shtator 2022

Share:

Një tërmet i vërtetë ka goditur Italinë por edhe skenën politike evropian të dielën që shkoi. Një nga partitë më ekstreme “Vëllezërit e Italisë”, që ka origjinë në partinë fashiste italiane, tashmë është e konfirmuar si fituese e zgjedhjeve nacionale italiane.

“Vëllezërit”, në koalicion me partinë tjetër ekstreme të Mateo Salvinit, por edhe partinë djathtiste të ish -Kryeministrit Silvio Berlusconi, pritet ta formojnë qeverinë e re të Italisë nën udhëheqjen e politikanes së re me pikëpamje mjaft problematike Giorgia Meloni. Një pjesë e koalicionit të ri në Itali ka shprehur qëndrime decidivisht pro-ruse, përfshirë ish-kryeministrin Berlusconi, i cili javën e kaluar e fajësoi Ukrainën për luftën e përgjakshme me regjimin e Putinit.

Qëndrimet politike të partisë së Melonit ndaj Kosovës janë shumë problematike. Në të kaluarën “Vëllezërit e Italisë”, si parti politike kanë lëshuar disa deklarata ku kane pohuar se “Kosova i është vjedhur Serbisë”. Sfida më e madhe duket se e pret Kosovën në liberalizimin e vizave, ngase eurodeputetët e kësaj partie kanë votuar disa herë kundër liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës në Parlamentit Evropian. Kjo parti po ashtu e shikon Kosovën nga prizmi i rreziku islamik dhe disa herë ka kërkuar tërheqjen e ushtarëve italianë nga Kosova për shkak të rrezikut terrorist islamik.

Klima në Bashkimin Evropian që Kosovës t’i hiqen vizat kurrë s’ka qenë më e favorshme. Presidenca çeke të shtunën për Express ka konfirmuar se diskutimet për vizat do të nisin më 13 tetor në Grupun Punues për Vizat, mekanizëm në nivel teknik  ku përfaqësohen të gjitha vendet anëtare.

Pastaj, sipas tyre, do të bëhen përpjekje që çështja të kalojë në nivel të ministrave për ta marrë vendimin që Kosovës t’i hiqen vizat.

Por, tani që Meloni pritet të emërohet si kryeministrja e parë grua në Itali, por edhe kryeministrja e parë nga një parti me rrënjë fashiste dhe anti-islamike, çdo gjë rreth planit gjerman për liberalizimin e vizave për Kosovën në këtë fundvit mund vihet në pyetje. Për shume vite ishte Franca dhe Holanda ato shtete që bllokuan Kosovën, kryesisht për shkak të cikleve zgjedhore në këto dy shtete por edhe frikës nga migrimi masiv. Tash Kosovës i shtohet edhe një problem jo vetëm në liberalizim por edhe në integrime të përgjithshme Euro-Atlantike ngase vetë partia e Melonit njihet si euroskeptike dhe synon daljen e Italisë nga Eurozona por edhe Bashkimi Evropian. Megjithatë, qëndrimet e Melonit janë zbutur pak gjatë fushatës zgjedhore.

Derisa situata e re në Itali e ka gjetur diplomacinë kosovare të papërgatitur, në Kosovë ende nuk ka asnjë reagim në këtë zhvillim. Ish – ministri i jashtëm i Kosovës Petrit Selimi ishte i vetmi që sot reagoi me një postim në kanalin e tij në Twitter.

“Rezultatet elektorale në Itali duhet ta bëjnë lidershipin e Kosovës të mendojë pak”.

Selimi e lidhi fitoren e djathtistëve ekstremë edhe me dialogun me Serbinë duke thënë se “për herë të parë që nga lufta e 1999 dhe shpallja e pavarësisë me 2008, një parti politike evropiane do të qeverisë, duke deklaruar në të kaluarën se ‘Kosova është grabitur nga Serbia’.”

Selimi shpreson se marrëdhëniet zyrtare midis Romës dhe Prishtinës do të jenë miqësore por se ky zhvillim tregon se “ndryshimet tektonike nëpër Evropë, nga Suedia në Itali dhe më gjerë dëshmojnë se është interes thelbësor dhe i padiskutueshëm për Kosovën ta përfundon marrëveshjen e normalizimit sa më parë me Serbinë.

Të ngjashme