Lajme
Veliu i pakënaqur pas disfatës në Llap: Ka pasur parregullsi, LDK-ja do të bie edhe më shumë
Demokracia
23:00 | 21 Qershor 2023

Share:

Deputeti i LDK-së, Agim Veliu, ka reaguar pasi të mërkurën ka humbur garën për kryetar të këtij subjekti politik në Llap, raporton Paparaci.

Ai pësoi disfatë gjatë procesit zgjedhor nga rivali i tij, Ekrem Hyseni, i cili mori 90 vota nga kuvendi i sotëm.

Veliu, pati ankesa duke pretendua se procesi zgjedhor nuk ka shkuar mirë. Sipas tij, duke qenë kështu, ka pasur edhe parregullsi dhe shkelje të shumta.

“Për mendimin tim dhe informacioneve që unë kam, procesi nuk ka shkuar mirë. Është proces i dëmtuar, montuar me shumë parregullsi dhe shkelje, me shumë marrëveshje pa kuvende zgjedhore. Disa kuvende të anuluara ku ka pasur prezencë. Kështu që janë një mal me shkelje”, tha ai për TV Llapin.

Mes tjerash, Veliu tha se nuk pret “diçka” nga ky kuvend zgjedhor. “Nuk ka pasur tubime. Ka pasur veç plotësim të formularëve dhe prej një procesi i tillë është vështirë të pritet diçka e mirë për LDK-në”, shtoi ai.

“S’pres diçka nga ky kuvend. Pres me këto zgjedhje që janë mbajtur, tepër i dëmtuar. Pres që LDK-ja të dëmtohet edhe më shumë. LDK-ja të ulet edhe më shumë, sepse një proces i manipuluar nëpër nëndegë, s’mund të jetë i hajrit për proceset e ardhshme politike”.

Për dallim nga ish-ministri i shkarkuar në Qeverinë Kurti 1, Hyseni theksoi se i tërë procesi ka vijuar në rregull. Ai shtoi se nuk ka pasur as edhe një ankesë për kuvendin e sotëm.

“Kanë marrë pjesë 97 delegatë. Në komisionin e ankesave asnjë ankesë nuk ka pasur. Kanë marrë pjesë mbi 1000 anëtarë. Asnjë ankesë të regjistruar. Ftoj të gjithë aktivistët, qytetarët që t’i bashkohen kauzës tonë për të mirën e vendit. Detajet i jep komisioni për zgjedhje”, tha Hyseni.

Të ngjashme