Lajme
Vela e relativizon pozitën e tij si Shef i Stafit, hiqet sikur nuk i intereson koeficienti i pagës
Demokracia
18:53 | 24 Tetor 2022

Share:

Blerim Vela, shefi i stafit të presidentes Vjosa Osmani, ka provuar ta relativizoi pozitën që mban sa për ta bërë një reagim të paqëndrueshëm ndaj një artikulli të Demokracia.com.

Vela, që në zyrën e Osmanit nuk është shumë i preferuar nga kolegët e tij si shef, ka reaguar ndaj raportimit të Demokracia.com me titullin: “DOKUMENT| Vërejtjet e zyrës së Osmanit për Projektligjin e Pagave, shqetësohen për pagën e Blerim Velës”.

Duke e quajtur raportimin të pavërtetë, Vela ka tentuar të manipulojë me pozita joekzistuese të shërbyesve civilë në Presidencë.

“Lajmi i botuar në portalin “Demokracia” është i pavërtetë sepse rekomandimi i ZPRK lidhet me shërbimin civil dhe jo zyrtarët e emëruar”, ka mohuar ai.

Vela ka pretenduar se portali ka shtrembëruar informacionet dhe nuk e ka kontaktuar për të vërtetuar faktet apo për të marrë opinionin e tij rreth këtij rekomandimi, pavarësisht që dokumenti është zyrtar dhe aty përshkruhen detaje të komenteve të zyrës së Osmanit.

Demokracia.com nuk ka bërë asgjë tjetër përveç që ka publikuar atë që Zyra e Presidentes ka komentuar për Ligjin e Pagave në Sektorin Pubik.


Demokracia.com nuk është fare e shqetësuar për koeficientin e pagës së shefit apo zëvendësshefit të stafit të presidentes dhe nuk ka pozita të tilla te shërbyesit civilë, siç ka tentuar të manipulojë Vela, por vetëm ka treguar se ZPRK e ka shfaqur një shqetësim të tillë.

Në artikull është shkruar se Zyra e Osmanit shqetësim e ka edhe koeficientin e Shefit të Stafit apo të Sekretarit të Presidencës.

“Si rrjedhojë dispozitat e këtij ligji duhet të sigurojnë që edhe në çështjet e pagave të ruhet parimi i ndarjes së pushteteve. Kjo duhet të shprehet si në aspektin hierarkik ashtu edhe në aspektin operacional. Në këtë drejtim, në Shtojcën një (1) të Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik, renditja ka filluar nga Klasa A1-Koeficienti 18 (Paga e Presidentes), që ka reflektuar me hierarkinë institucionale Shtojcën trembëdhjetë (13) të Projektligjit me Klasën C1 me koeficient 13 (Shefi dhe Zëvendësshefi i Stafit në Presidencë). Kjo formulë nuk është ndjekur Shtojcën dhjetë (10) të Projektligjit ku në vend që të jetë Klasa G1 me koeficient 14 (Paga e Sekretarit në Presidencë-Drejtues i Lartë 1), është vendosur Klasa G3 me koeficient 12.3 (Paga e Sekretarit në Presidencë-Drejtues i Lartë 2). Në Klasën G1 është vendosur një Drejtor i një Agjencie Ekzekutive të Ministrisë (Drejtues i Lartë 1), ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i asaj Ministrie ku raporton Drejtori i Agjencisë Ekzekutive është vendosur në Klasën G5 me koeficient 12.2 (Drejtues i Lartë 2)”, thuhet nga Zyra e Osmanit.

Demokracia.com ka publikuar dokument zyrtar, që e bën të panevojshëm kontaktimin e titullarit, por edhe ashtu Presidenca si institucion ku punon Vela nuk kthen përgjigje në pyetjet tona.

Për t’ia kujtuar z. Vela se është Shef i Stafit, po ia bashkëngjisim edhe vendimin për emërimin e tij në këtë pozitë. Po ashtu, përshkrimi për të tek komentet gjendet menjëherë poshtë përshkrimit për pagën e presidentes.

Për t’ia bërë qejfin shefit Vela, Demokracia.com nesër do t’i dërgojë atij pyetje, por për favorizimet që ai ua bën të njohurve të tij në emër të Zyrës së Presidentes.

Të ngjashme