Diaspora
Vedat Gashi rimerr postin në New York si asamblist
Demokracia
10:39 | 04 Nëntor 2021

Share:

Mësohet se asamblisti në Kauntin e Weschesterit në SHBA, Vedat Gashi, është rizgjedhur për të dytën herë si përfaqësues i demokratëve në legjislaturën e re në këtë rajon, në të cilin jetojnë rreth një milion banorë, transmeton albinfo.ch.

Angazhimi i Vedatit në shërbimin publik erdhi nga përvoja e familjes së tij si aktivistë dhe refugjatë, mundësitë që ai kishte punuar me udhëheqës frymëzues dhe përvoja e tij, duke ndihmuar në krijimin e një vendi.

Gashi në një emision televiziv ka deklaruar se është shqiptaro-amerikani i parë që e ka këtë pozitë.

“Para dy vjetësh unë u zgjodha në legjislaturën e Kauntit të Weschesterit dhe u bëra shqiptaro-amerikani i parë që u zgjodha atëherë, po ashtu edhe tani jam shqiptaro-amerikani i parë që po rizgjedhem. Ishte një garë e vështirë, sepse patëm kundërshtarë të fortë dhe shumë njerëz nga partia ime humbën në garën lokale. Unë isha i ngazëllyer për fitoren, kjo besoj se u arrit pasi punuam shumë, bëmë një fushatë të mirë, punuam çdo ditë dhe u munduam të bisedojmë me votuesit për t’u treguar për planet tona dhe besoj se këtë e kuptuan votuesit, duke arritur kështu një fitore goxha të mirë”.

Ai ka folur për punët që do të bëjë për amerikanët, duke filluar nga investimet në infrastrukturë, mbrojtja e ambientit, rrugët dhe gjëra të tjera që, në fakt, ndikojnë në jetët e njerëzve,

“Legjislatura ka buxhet diku rreth 2.8 milionë dollarë dhe kjo është një shumë goxha e mirë. Ne në Weschester kemi taksa të larta, dhe ulja e tyrë është një gjë e rëndësishme për mua dhe komunitetin tonë. Por, në të njëjtën kohë kemi shërbime të ndryshme. Na duhen investime në infrastrukturë, mbrojtja e ambientit, rrugët tona dhe gjëra të tjera që, në fakt, ndikojnë në jetët e njerëzve”.

Gashi ka thënë se dëshiron të ketë më shumë shqiptarë të përfshirë në politikën atje.

“Po e filloj duke thënë se shqiptarët janë pjesë e komunitetit, dhe si çdo pjesëtar tjetër i komunitetit, edhe ne interesohemi për shkollat tona, taksat tona, sigurinë publike, mjedisin tonë. Këto janë gjëra që ndikojnë në jetët e krejt neve. Mendoj që një vështirësi që ka komuniteti ynë është se, edhe pse numri i shqiptarëve këtu po rritet, ata nuk regjistrohen dhe nuk votojnë. Është një vështirësi dhe mund të them edhe një zhgënjim për mua në njëfarë mënyrë, andaj do të doja që kjo gjë të përmirësohej. Ne do të donim të shihnim më shumë përfshirje të shqiptaro amerikanëve, sepse ata janë një forcë dhe mund të jenë forcë më e madhe”, ka thënë Gashi.

Po ashtu ka thënë se do të bashkëpunojë edhe me Këshillin Demokratik Shqiptaro – Amerikan, “Absolutisht. Unë jam edhe anëtar i kësaj organizate, por kam punuar edhe me organizata të tjera po ashtu. Pasi u bëra shqiptaro-amerikani i parë që u zgjodha, ne bëmë nëntorin muajin e trashëgimisë shqiptaro-amerikane dhe me këtë rast ne festojmë disa të arritura në komunitetin tonë, dhe dy prej sukseseve që po festojmë këtë vit janë Albana Krasniqi dhe Rifat Latifi. Ata janë banorë fantastikë të Weschesterit, por edhe njerëz me impakt në krejt botën, po ashtu në Kosovë dhe Shqipëri. Ne punojmë bashkë edhe me shumë organizata të tjera dhe dëshirojmë të vazhdojmë ta bëjmë këtë”.

Të ngjashme