Një grua shtatzënë, e plagosur nga bombardimet ruse në një maternitet në qytetin e Mariupolit, raportohet të ketë vdekur së bashku me foshnjën e saj.
Sulmi ndodhi të mërkurën e kaluar, kur u vranë edhe së paku tre persona të tjerë.
Pas sulmit, gruaja u dërgua në një spital tjetër.
Foshnja e saj lindi me prerje cezariane, por nuk dha shenja jete, thanë mjekët ukrainas për agjencinë e lajmeve Associated Press.
Pak kohë më vonë, sipas tyre, vdiq edhe nëna.
Mjekët thanë se nuk kanë pasur kohë ta merrnin emrin e gruas, përpara se burri dhe babai i saj të vinin për të marrë trupin e saj.