Lajme
Vdiq ish-deputetja Kaqusha Jashari
Demokracia
09:38 | 06 Maj 2025

Share:

Lajmin për ndarjen nga jeta të Kaqusha Jasharit e kanë bërë të ditur familjarët, të cilët kanë informuar gjithashtu se ceremonia e varrimit do të mbahet sot, në orën 13:00, në Prishtinë.

Në moshën 79-vjeçare ka ndërruar jetë Kaqusha Jashari – themeluese e Partisë Socialdemokrate, ish-deputete e Kuvendit të Kosovës dhe një prej grave më të profilizuara në jetën publike dhe politike të Kosovës, që nga periudha e autonomisë e deri në dekadat e pasluftës. Lajmin për vdekjen e saj e kanë bërë të ditur familjarët.

Jashari ka pasur një karrierë të gjatë dhe të larmishme: inxhiniere me profesion, veprimtare sindikale, funksionare e lartë partiake dhe më vonë një zë kritik e progresist në politikën shumëpartiake të Kosovës.

Në bazë të Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, ajo ka lindur në Prishtinë, ndërsa shkollimin fillor dhe të mesëm e ka ndjekur në Kamenicë, Gjilan dhe pastaj në Prishtinë. E studimet universitare në inxhinieri ndërtimi i nisi në Beograd dhe i përfundoi në Prishtinë.

Në vitet 1975–1988 ka mbajtur funksione të rëndësishme, ndër të cilat spikatin: kryetare e Bashkimit të Sindikatave të Kosovës (1986) dhe kryetare e Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës (1988). U shkarkua nga kjo pozitë pas përplasjes së hapur me Beogradin gjatë tensioneve politike që paraprinë suprimimin e autonomisë.

Pas viteve ’90, Jashari qëndroi aktive në jetën politike, duke udhëhequr PSD-në nga viti 1998 deri më 2008. Gjatë legjislaturës 2006–2010 ishte deputete në Kuvendin e Kosovës. Ajo njihej edhe për pasionin e saj për artin, veçanërisht pikturën, ku kishte realizuar disa ekspozita personale.

Të ngjashme